DURRËS, 12 shkurt 2015 –  Shërbimi i urgjencës në spitalin rajonal Durrës (SRD), përforcohet edhe nga ekipi i Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile. Të dy institucionet kanë nënshkruar memorandumin e bashkëpunimit mes tyre. Një ekip i Qendrës së Emergjencave do të jetë në dispozicion të qytetarëve të Durrësit për çdo urgjencë deri në orët e mbrëmjes, njofton SRD-ja në një status në FB. Më pas shërbimi do të vijojë me ekipin e spitalit rajonal të Durrësit. Në rast të urgjencave të shumta, të dy grupet do të mbështesin njëri-tjetrin në terren. Ky bashkërendim i punës, do t’i japë mundësi stafit mjekësor të urgjencës së spitalit të përballojë më shpejt dhe në mënyrë më efikase urgjencat që paraqiten në shërbim.

Dhënia e ndihmës së parë mjekësore, në banesë, është shumë e rëndësishme për shpëtimin e jetëve njerëzore. Ndaj ky shtim kapacitetesh jo vetëm në ekipe mjekësore, por edhe me një autoambulancë, rrit shpejtësinë dhe cilësinë e shërbimit për qytetarët durrsakë.

Njësia numër 2 e Qendrës Vullnetare të Emergjencave Civile vijon punën në urgjencën e Durrësit. Mjekët dhe infermierët kanë kryer 83 shërbime, duke filluar që nga data 1 janar e këtij viti. Njësia tjetër që vepron në këtë urgjencë dhe që është me staf paramjekësor ka transportuar drejt Tiranës të gjitha rastet e rënda, që janë dërguar për mjekim më të specializuar, pas vendimit të marrë nga urgjenca e Durrësit, njofton Qendra Vullnetare e Emergjencave Civile.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/