· Inspektime në bizneset në vijën bregdetare të qytetit të Durrësit (nga Ura e Dajlanit deri te Shkëmbi i Kavajës, në zonën e Gjirit të Lalzit, plazhet e Hamallajt, sektorit Rinia, Porto Romanos), si dhe autostradën Durrës-Fushë Krujë-Thumanë, qytetin e Krujës, zonën pranë aeroportit ndërkombëtar të Rinasit
1 gusht 2015 – Drejtoria rajonale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (DRAKU) Durrës, për 6-mujorin e parë të vitit 2015, ka marrë 4 masa administrative gjobë për subjekte, të cilat kryenin aktivitetin e tyre në kundërshtim me ligjin, si dhe janë vendosur masa paralajmërim si dhe mbyllje aktiviteti, i tha “Dyrrah”-ut kreu i DRAKU-t, Altin Murto. Synimi kryesor ka qenë ndërgjegjësimi i operatorëve të biznesit për respektimin e kërkesave ligjore në mënyrë që të vendosen bazat për sigurimin e një niveli të lartë të mbrojtjes së shëndetit të njerëzve dhe interesave të konsumatorit.
Murto deklaron se për sezonin turistik veror 2015 është hartuar një plan inspektimi, bazuar në të dhënat e vitit të mëparshëm për operatorët e biznesit që ushtrojnë veprimtarinë në vijën bregdetare të qytetit të Durrësit (nga Ura e Dajlanit deri te Shkëmbi i Kavajës, në zonën e Gjirit të Lalzit, plazhet e Hamallajt, sektorit Rinia, Porto Romanos), si dhe autostradën Durrës-Fushë Krujë-Thumanë, qytetin e Krujës, zonën pranë aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Për operatorët e biznesit, të cilët kryejnë veprimtari sezonale, është bërë verifikimi paraprak në terren nga inspektorët, nëse ata do ta ushtrojnë atë veprimtari përsëri dhe më pas ka vijuar inspektimi i tyre.
Inspektimet kryesisht janë përqendruar në restorante, fast-foode, prodhues akulloresh, markete, dyqane ushqimore, supermarkete, pastiçeri, furra buke si ato që kryejnë veprimtari sezonale dhe ato që kryejnë veprimtari të përhershme. Qëllimi i këtyre inspektimeve është garantimi i sigurisë ushqimore për konsumatorët në mënyrë që asnjë biznes të mos jetë i painspektuar dhe i pamonitoruar nga DRAKU Durrës. Për bizneset ushqimore që veprojnë në kundërshtim me ligjin janë marrë masa me ndërprerje të veprimtarisë apo masa administrative gjobë.
Drejtori i AKU-së Durrës bën thirrje se, duke qenë se jemi në sezonin e verës, me temperatura të larta dhe fluks turistësh, të gjithë qytetarët të bëjnë kujdes në konsumimin e ushqimeve të tregtuara nga shitës ambulantë dhe të njoftojnë për çdo abuzim, konstatim, në lidhje me tregtimin e produkteve ushqimore.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





