DURRËS, 6 gusht 2014 –  Ndërsa në zonën e Shkëmbit të Kavajës, nën administrimin e komunës së Rrashbullit, nga komunat me të ardhurat më të mëdha në Shqipëri, vazhdojnë problemet me kanalizimet e ujërave të zeza, ndryshe ndodh në Plepa, ku ushtria po i zgjidh hallet me forcat e veta dhe në bashkëpunim me civilët e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës.

Në Komandën e Forcës Detare (FD) dhe Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve (ose sikurse quhet në thjeshtligjërim  konvaleshenca e ushtrisë), u përmirësua dukshëm rrjeti i kanalizimeve dhe ujësjellësit, bëri të ditur ushtria shqiptare.

Një projekt i filluar vitin e kaluar, kishte fazë të parë shtrirjen e tubit kryesor të mbetjeve të ujërave të zeza e të bardha dhe grumbullimin e tyre në impiantin e përpunimit.

Ky tub ka një shtrirje rreth 500 metra, nga kompleksi “Tropikal” deri në det. Ndërsa faza e dytë synon lidhjen e tubacioneve të godinave me tubin kryesor.

Për realizimin e këtyre punimeve krahas ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime sha Durrës (UKD) po punojnë specialistë dhe punonjës civilë të kompanisë logjistike të komandës së FD-së, me komandant, major Arben Zaka dhe kompanisë së Shtëpisë së Pushimit të Ushtarakëve (SHPU) me komandant, major Elton Prisoj.

Punonjësit e FD-së bënë të mundur lidhjen e ujit të pijshëm me komandën e FD-së në Plepa, me një tubacion 700 metra, ku puna kryesore për hapjen e kanalit u bë me krahë, pasi nuk e lejonin kushtet e terrenit (foto e datës 6 gusht 2014).

Në sajë të punimeve të kryera është bërë e mundur përmirësimi i mjedisit dhe kushteve higjienike-sanitare të godinës në komandën e FD dhe godinave të SHPU, tha ushtria shqiptare.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/