Durrës, 18 qershor 2014 – Një 39 vjeçar, i shpallur në kërkim një ditë më parë nga policia pas denoncimit të bërë nga familjarët e tij, është gjetur i vetëvarur në një pallat në ndërtim e sipër në zonën e plazhit në Durrës.
Sipas policisë, 39 vjeçari S.I. kishte varur veten me litar në banjon e një pallati që po ndërtohej në lagjen nr.13. Ai është gjetur mëngjesin e sotëm nga punëtorët e pallatit, të cilët menjëherë kanë njoftuar policinë për këtë ngjarje.
Pasi ka mbërritur në vendngjarje, efektivët e rendit kanë zbuluar se personi i gjetur i varur ishte 39 vjeçari, i cili nuk ishte kthyer në shtëpi një ditë më parë, e për këtë kishte vënë në alarm familjarët e tij.
Kishte qenë pikërisht bashkëshortja e tij, që kishte denoncuar në komisariat zhdukjen e 39 vjeçarit dhe u kishte kërkuar ndihmë efektivëve të rendit për gjetjen e burrit të saj.
Sipas policisë, 39 vjeçari, baba i dy fëmijëve, vuante nga epilepsia. Nuk dihet ende përse ai kishte zgjedhur një nga pallatet në ndërtim në zonën e plazhit për t’i dhënë fund jetës së tij.
Ndërkohë një ditë më parë, dy femra kanë tentuar t’i japin fund jetës me fostoksinë. Mësohet se femrat janë të moshës 36 dhe 21 vjeç dhe fatmirësisht ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





