DURRËS, 29 janar 2014 –Varfëria e tejskajshme i detyron njerëzit të vjedhin deri dhe shina hekurudhore për skrap, duke rrezikuar dhe lëvizjen e trenave; celular; steka cigaresh; ushqime, ngjarje të regjistruara brenda një dite.
Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njoftoi se më 28 janar 2014 ora 8.00, paradite, në bashkinë e Sukthit, në stacionin hekurudhor (në foto), janë vjedhur 11 pllaka hekuri, të cilat shërbejnë për mbajtjen e shinave; blutë thonë se po punohet për identifikimin e kapjen e autorëve.
Më 28 janar 2014 filloi procedimi penal e punohet për kapjen e Sokol L., 29 vjeç, dhe Orges S, 18 vjeç, të dy me banim në Durrës; dyshohet se më 27 janar 2014, në lagjen nr. 1, i kanë vjedhur një telefon celular A. P.-së, 22 vjeç, banor i kësaj lagjeje.
Më 28 janar 2014, gjatë orëve të natës, në lagjen 17/1 Durrës, është vjedhur me thyerje dyqani i shtetasit K. M., 55 vjeç, në të cilin janë marrë disa steka cigare dhe disa produkte ushqimore; po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





