40-vjeçari Nikoll Frroku, i cili para 10 vjetësh kishte zbritur nga Puka në ish-Kënetë, i papunë, pa të ardhura, si të parandiente tragjedinë, pak para shpërthimit të një predhe të Luftës II Botërore, kishte larguar fëmijët e mitur kureshtarë nga pika e demontimit
DURRËS, 13 nëntor 2013 – Varfëria e skajshme në rrethinat e qytetit nr. 2 të Shqipërisë, por edhe padituria shkaktojnë tragjedi, sikurse ka ndodhur paraditen e 13 nëntorit 2013, teksa ka humbur jetën 40-vjeçari Nikoll Frroku. I vëllai i viktimës Ndreca (në foto) ka treguar se para rreth 10 vjetëve kishin zbritur nga Puka në ish-Kënetë. Nga halli Nikolla mblidhte hekurishte pasi ishte i papunë dhe pa asistencë. Me skrapin mbante një familje prej pesë vetash, shto këtu faktin se dy nga tri vajzat do t’i shkollonte. I vëllai thotë se predhën e topit i ndjeri e kishte gjetur buzë detit, në afërsi të Urës së Dajlanit dhe portit. Nikollë Frroku, babai i tre fëmijëve të mitur, ashtu si çdo mëngjes tjetër, po mblidhte hekurishte, kur gjeti edhe një predhë të Luftës së Dytë Botërore. Duke dashur ta presë me gur flesibël, predha i ka shpërthyer dhe e ka lënë të vdekur në vend. Tragjedia mund të kishte marrë dhe përmasa më të mëdha, por viktima pak minuta më parë, si të parandiente momentin e kobshëm, kishte larguar dy vajzat e mitura nga pika e demontimit. Policia, që ka shkuar menjëherë në vendngjarje (shih fotot e dërguara për “Dyrrah”-n nga gazetari i “Shekullit” Mark Brunga), thotë se rreth orës 10.10 nëpërmjet një telefonate qytetare është njoftuar mbi një ngjarje aksidentale, që kishte ndodhur në lagjen nr. 17 Durrës, me pasojë vdekjen. Në mënyrë të menjëhershme në vend janë dërguar shërbime policie dhe grupi hetimor, të cilët kanë konfirmuar vdekjen e shtetasit Nikoll Frroku, rreth 40 vjeç, banues në rrugën “Pranvera”; vdekje e cila është shkaktuar nga shpërthimi i një predhe në momentin e prerjes nga viktima me gurë flesibël. Blutë kanë deklaruar se po vijojnë veprimet proceduriale e hetimore në vendin e ngjarjes për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





