DURRËS, 3 korrik 2014 – Shpejt pritet privatizimi i shërbimeve në varrezat publike, kryebashkiaku i qytetit nr. 2 të Shqipërisë z. Vangjush Dako, do t’i propozojë “parlamentit” vendor dhënien e miratimit për kalimin në sipërmarrje të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së “banesave të fundit” të qytetarëve të Durrësit.
Një nga pikat më interesante të rendit të ditës në mbledhjen e 10 korrikut 2014 këshillit të bashkisë të Durrësit, është dhe projektvendimi “Për dhënien e miratimit Bashkisë Durrës të zhvillojë procedurat e prokurimit publik për kalimin në sipërmarrje të shërbimeve publike të mirëmbajtjes dhe ruajtjes së varrezave publike të qytetit të Durrësit”.
Për këtë qëllim do të ndiqet procedura ligjore e prokurimit publik, ku ngarkohen Drejtoria e Shërbimeve në bashki dhe Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale.
Sipas kreut të Drejtorisë së Shërbimeve në bashki, z. Besnik Kërtusha, në vazhdim të zbatimit të prioriteteve të Kryetarit të Bashkisë, premtimeve të dhëna nga ana e tij, nevojës për përmirësimin e shërbimeve që kryen Bashkia, i propozohet këshillit bashkiak që të marrë në shqyrtim kërkesën për kalimin e shërbimeve publike të funeralit e të mirëmbajtjes së varrezave publike me sipërmarrje.
Ing. Kërtusha thotë se sot ky shërbim kryhet nga Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale Durrës dhe duke qenë se destinacioni kryesor e primar i saj është pastrimi i qytetit, duam apo s’duam, sot ky shërbim (pra funerali) mbetet i dorës së dytë dhe është një lloj ngarkesë për ndërmarrjen.
Gjithashtu ndërmarrja herë pas here gjendet në vështirësi financiare për atë pjesë të personelit, i cili është me drejtim ekonomik, pasi volumi jo i mjaftueshëm i punës për këtë shërbim, bëhet problem.
Për këtë arsye e të tjera kalimi i këtij shërbimi me sipërmarrje, jo vetëm e lehtëson ndërmarrjen, e cila është gjithashtu dakord dhe ka bërë propozimin, por ekziston bindja se dhe cilësia do rritet në mënyrë të ndjeshme.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





