Një djalë 3-vjeçar ka ndërruar jetë këtë të enjte në qytetin e Durrësit.

Fëmija me iniciale D.Z. ishte në një kopsht privat në lagjen nr. 4 në momentin kur ndodhi ngjarja tragjike.

Ai është transportuar me urgjencë në poliklinikën e specialiteteve në Durrës dhe nga aty drejt urgjencës së pediatrisë. Por fatkeqësisht ka ndërruar jetë në spital për arsye ende të paqarta.

Paraprakisht, dyshohet se fëmijës, i cili kishte ngrënë supë para se të ndodhte tragjedia, t’i ketë kaluar ushqimi në rrugët e frymëmarrjes dhe i është shkaktuar arrest kardiak.

Këto janë dyshimet paraprake të mjekëve, mëson “DurrësLajm”.

Të afërmit thonë që fëmija ka qenë i shëndetshëm dhe nuk ka pasur probleme, as temperaturë apo ndonjë simptomë tjetër.

Ndërsa edukatorja e tij ka bërë të pamundurën për ta shpëtuar, duke i bërë dhe frymëmarrje artificiale e masazh, por gjithçka ka qenë e pamundur.

Aktualisht trupi i fëmijës ndodhet në morgun e spitalit, ku pritet t'i nënshtrohet autopsisë.

Policia ka nisur ndërkohë hetimet për të zbardhur shkakun e vdekjes së vogëlushit, që ishte djalë i vetëm në familje.

Informacioni paraprak i policisë:

Më datë 05.04.2018,  rreth orës 13:15, në  lagjen Nr.4  Durrës, nga një kopsht privat është dërguar në Spitalin Rajonal Durrës në gjendje të rëndë ku ka ndëruar jetë fëmija më iniciale  D.Z. 3 vjeç, banues në Durrës.

Grupi hetimor nën drejtimin  e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor po punojnë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.