Durrës, 14 shtator 2014 – Vetëm disa orë pas ndarjes nga jeta të adoleshentit të plagosur, të premten e kaluar në Durrës nga një 17 vjeçar ka reaguar dega lokale e Partisë Demokratike në Durrës, e cila ngushëllon familjen e 18 vjeçarit Briken Ibraj.

Duke ngritur shqetësimin për nivelin në rritje të kriminalitetit, PD i kërkon Policisë së Shtetit dhe Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, të mbajnë premtimet e dhëna për garantimin e jetës së qytetarëve.

“Si ka mundësi që mes të rinjve qarkullojnë armë mjaft të rrezikshme, siç është edhe kallashnikovi, dhe madje guxohet të qëllohet, duke rrezikuar drejtpërsëdrejti edhe jetën e qytetarëve të pafajshëm?! Si është e mundur që Policia e Shtetit, edhe pse në dijeni të konflikteve të dy adoleshentëve, ka lejuar që ngjarja të precipitojë në kufijtë e një krimi të rëndë?! Me të drejtë qytetarët e Durrësit, të indinjuar thellësisht, pyesin: Ku është Policia e Shtetit? Ku janë premtimet e bëra nga ministri Tahiri? Ku janë reformat e premtuara si mrekullira që do t’u vinin qytetarëve pas 300 ditësh?”, thuhet në reagim.

Duke marrë shkas nga nisja e vitit të ri shkollor, që starton nesër, PD e Durrësit “i bën thirrje strukturave të Policisë së Shtetit që t’i largohen politizimit dhe të tregojnë profesionalizëm në kryerjen e detyrës së tyre”.

Deklarata e plotë e degës së PD Durrës

Dega e Partisë Demokratike në Durrës denoncon nivelin në rritje të kriminalitetit. Tashmë, me të drejtë, mund të themi se siguria e qytetarëve në Durrës është në ditët e saj më të këqija.
I riu, që pak ditë më parë u plagos rëndë, në zonën e Plazhit të Durrësit, është ndarë nga jeta. Partia Demokratike, ndërsa ngushëllon familjarët për humbjen e djalit të tyre, bën thirrje për kthimin e sigurisë së munguar.
Gjendja bëhet akoma edhe më serioze kur nesër fillon viti i ri shkollor. Si ka mundësi që në mes të një zone kaq të populluar, siç është zona e Plazhit, dhe ku monitorimi me shërbime nga ana e Policisë së Shtetit mendohet se duhet të jetë prezent, ndodhin sherre të tilla masive?! Si ka mundësi që mes të rinjve qarkullojnë armë mjaft të rrezikshme, siç është edhe kallashnikovi, dhe madje guxohet të qëllohet, duke rrezikuar drejtpërsëdrejti edhe jetën e qytetarëve të pafajshëm?! Si është e mundur që Policia e Shtetit, edhe pse në dijeni të konflikteve të dy adoleshentëve, ka lejuar që ngjarja të precipitojë në kufijtë e një krimi të rëndë?!
Me të drejtë qytetarët e Durrësit, të indinjuar thellësisht, pyesin: Ku është Policia e Shtetit? Ku janë premtimet e bëra nga ministri Tahiri? Ku janë reformat e premtuara si mrekullira që do t’u vinin qytetarëve pas 300 ditësh?
Ato që shohin e ndjejnë qytetarët janë pasiguria, shtimi masiv i vjedhjeve, i grabitjeve mafioze me skena horrori që u marrin jetën qytetarëve të pafajshëm.
Dega e Partisë Demokratike në Durrës i bën thirrje strukturave të Policisë së Shtetit që t’i largohen politizimit dhe të tregojnë profesionalizëm në kryerjen e detyrës së tyre.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/