DURRES, 7 tetor 2013 – Bashkia e Durrësit ka strehuar në azilin e të moshuarve, nipin e gruas 87-vjeçare që vdiq në lulishte, pasi u detyrua të largohej nga banesa ku kishte jetuar prej vitesh, pas aktit normativ të qeverisë së kaluar, për lirimin e banesave të ish-pronarëve.
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako deklaroi sot se akti normativ, i kundërshtuar nga socialistët, ka nxjerrë shumë të pastrehë.
Sipas Dakos, dy të moshuarve u është ofruar një banesë nga një biznesmen, por ata nuk kanë pranuar të jetojnë atje, me pretendimin se ishte shumë larg.
Dako theksoi se banesat sociale në Durrës nuk janë shpërndarë ende dhe për pasojë, të moshuarve nuk mund tu sigurohej një shtëpi. “67-vjeçari Llazi Qendro është strehuar sot në azilin e pleqve.”- u shpreh Dako.
87-vjeçarja Sofie Qëndro, së bashku me nipin e saj 67-vjeçar prej 6 javësh kaluan ditët dhe netët kruspull në një stol para Bashkisë së Durrësit.
I ftohti i ditëve të fundit çoi drejt vdekjes të moshuarën, e cila dy ditë më parë mbërriti në gjendje kome në urgjencën e Spitalit Rajonal të Durrësit.
Indiferenca totale ndaj dy jetëve njerëzore, bëri që 87-vjeçarja të arrinte deri aty sa të niste të jepte shpirt në stolin e rrethuar me kartona.





