Ka ndërruar jetë në spitalin e Durrësit 41-vjeçari që u godit me sende të forta pak ditë më parë nga babai i tij i moshuar.

Burime zyrtare nga policia, bëjnë me dije për “DurrësLajm” se shtetasi A.T., vjeç 41,banues në Gjuricaj, ka vdekur në spital të enjten më 5 korrik, 3 ditë pasi ndodhej i shtruar në gjendje të rëndë.

Për ngjarjen e rëndë është vënë në pranga menjëherë pas krimit, babai i viktimës, shtetasi Xh.T., vjeç 70, banues në fshatin Gjuricaj.

Sipas të njëjtave burime, mësohet se autori kishte dhe probleme me shëndetin mendor.

Të hënën më datë 2 korrik, në konflikt e sipër, i moshuari ka goditur me sende të forta djalin 41-vjeçar dhe nusen e tij 24 vjeçe. Kjo e fundit nuk ka probleme për jetën, ndërsa bashkëshorti i saj fatkeqësisht nuk mundi dot të mbijetonte.