DURRËS, 6 tetor 2014 –  Zgjedhjet e ardhshme vendore do të vënë në siklet strukturat e selisë rozë dhe bashkisë së Durrësit, pasi, me sa duket, përbërja e këshillave të qeverisjes vendore do të rinohet me mbi 30 për qind nga FRESSH-i, ndërkohë që PS-ja bregdetare është mësuar me disa figura denbabaden dhe që u bëjnë “fresk” drejtuesve të saj, real apo de-jure.

Të dielën, më 5 tetor 2014, në Durrës është mbajtur një konferencë rinore e PSSH-së që kishte si slogan “Social-Demokracia, si hapësirë e mendimit kritik rinor”.

Nuk do të mungonte edhe kësaj radhe ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë Erion Veliaj, që mbulon dyfish FRESH-in: edhe si parti edhe si qeveri.

Por më i rëndësishëm është vendimi i selisë qendrore për më shumë djem e vajza të reja, njerëz të aftë për t’u paraqitur si kandidatura në Këshillat Bashkiake:

“Është në interesin e Partisë Socialiste që sa më shumë të rinj të përfshihen sidomos në vendimmarrjet e reja dhe në zgjedhjet për Këshillat Bashkiakë. Nuk e di nëse do ta bëjmë këtë në një formë kuote ashtu siç kemi bërë lë të themi promovimin e zonjave e zonjushave në politikë, po cilado qoftë mënyra thelbi është ky, ne na duhen djem e vajza të rinj, të përgatitur, të aftë për mendime dhe për debate si ky i sotshmi, që të jenë kuotat tona në këshillat bashkiakë dhe të jenë aty si vendimmarrje por edhe për të filluar një karrierë politike aty ku merren vendimet e qytetit”.

Ilustrimi: printscreen nga videoja e  A1 Report

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/