DURRËS, 7 maj 2014 –  Shërbimi Hidrografik Shqiptar i Forcës Detare me seli në portin e Durrësit arrin të prodhojë dhe vendosë me forcat e vetë një shenjë detare në portin kryesor të vendit.

Shërbimi Hidrografik Shqiptar (SHHSH) është një repart dhe pasuri me vlerë i Forcës Detare, pasi ka rol parësor në sigurimin e kushteve hidro-lundrimore dhe sinjalistikës detare, duke siguruar lundrim të sigurt të gjithë mjeteve detare, raporton zëdhënësi i komandës së Forcës Detare në Plepa të Durrësit Shefqet Kërcelli.

SHHSH-ja ka për mision të japë, monitorojë dhe mbrojë siguri teknike me anë të fenerëve të lundrimit brenda hapësirës detare të RSH.

Në detyrat e tij janë dhe kryerja e studimeve hidrografike brenda hapësirës detare të RSH; mirëmbajtja, riparimi dhe mbajtja në gjendje gatishmërie e të gjitha pajisjeve të lundrimit të vendosura përgjatë bregdetit dhe liqeneve të RSH.

Për të bërë të mundur realizimin e këtij objektivi të rëndësishëm, personeli i SHHSH-së vendos fenerë detarë e bregdetarë, shenja detare (bova) për shfrytëzimin pa rrezik jo vetëm të bregdetit por dhe të porteve, bazave, ujërave të brendshme, etj.

Kërcelli i referohet komandantit të Shërbimit Hidrografik Shqiptar, kapiten i rangut II Lulzim Kryeziu, që thotë se gjatë vitit 2014, është planëzuar riparimi dhe vendosja e mjaft objekteve të sinjalistikës detare përgjatë bregdetit shqiptar si dhe masa të tjera ndihmëse.

Në këtë kuadër vlen për t’u evidentuar vendosja, më 6 maj 2014, e bovës anësore të majtë (e kuqe), në koordinatat 41°6’694’’V 19°26’998’’L në kanalin hyrës të portit të Durrësit, thotë Kërcelli.

Bova u përgatit në ofiçinën e Shërbimit Hidrografik pranë Kapitanerisë së portit të Durrësit nga seksioni i sigurimit hidrolundrimor me drejtues Alfons Gjonçaj.

Paraprakisht u bë testimi i gjithë elementeve teknike të bovës nga specialistët V. Marku, K. Mezja, K. Mustafaraj, P. Pasho dhe N. Hoxha.

Në operacionin për vendosjen e bovës u angazhua thuajse gjithë personeli i shërbimit si dhe zhytësit e qendrës së zhytjeve, Sh. Driza, H. Velaj dhe F. Sina.

Gjithashtu duhet evidentuar dhe ndihma e drejtorisë së përgjithshme ekzekutive të kompanisë publike Autoriteti Portual Durrës sh.a, ku vetë numri 2 i saj Artjan Qirici ishte i pranishëm gjatë këtij operacioni.

I cituar nga Kërcelli, kapiten Kryeziu thekson se në vëmendjen e këtij shërbimi janë jo vetëm portet kryesore, por gjithë bregdeti.

Info

Në kuadër të bashkëpunimit me Mbretërinë e Norvegjisë, më 3 prill 2014, një ekip i shërbimit hidrografik të Mbretërisë së Norvegjisë (Norwegian Hydrographic Service – NHS) i përbërë nga Noralf Slotsvik, koordinator ndërkombëtar në Shërbimin Hidrografik norvegjez dhe Hans Christoffer Lauritzen, drejtor i departamentit të shpërndarjes dhe publikimeve, zhvilloi një vizitë në komandën e Forcës Detare në Plepa të Durrësit, ku u pritën nga komandanti i Forcës, gjeneral brigade Qemal Shkurti.

NHS-ja ka parashikuar hartimn dhe financimin e një projekti për rritjen e kapaciteteve të Republikës së Shqipërisë në fushën e hidrografisë.

Të dhënat e palës shqiptare do të përdoren nga NHS-ja për të detajuar projektin për rritjen e kapaciteteve operacionale në fushën e hidrografisë.

Projekti “ALNO-HIP” ndihmon Shqipërinë të përmbushë detyrimet ndaj Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO) si dhe ato të përcaktuara në kapitullin 5, rregulli 9, të Konventës Ndërkombëtare për Sigurinë e Jetës në Det, nëpërmjet asistencës për trajnimin e personelit në kurset e kategorisë “B” dhe sipas konceptit “On Job Training”; në ngritjen e kapaciteteve dhe pajisjeve bashkëkohore për zhvillimin e matjeve hidrografike; në zhvillimin e matjeve batimetrike; në grumbullimin e të dhënave për ujërat territoriale sipas standardeve ndërkombëtare të IHO, si dhe në prodhimin e shpërndarjen e hartave elektronike detare (ENCs).

Përfitues të projektit do të jenë të gjitha institucionet që kanë interesa në det, aktiviteti i  të cilave është i varur nga siguria lundrimore, institucionet që operojnë në mbrojtjen e mjedisit detar dhe aktorët që kryejnë operacione të kërkim-shpëtimit detar.

Fotot: Mirësjellje e Shefqet Kërcellit

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/