DURRËS, 13 nëntor 2014 – Shoqata e diabetit, spitali rajonal Durrës, Instituti i Shëndetit Publik, Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, në bashkëpunim me bashkinë e Durrësit, organizuan, më 13 nëntor 2014, pranë pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” në Durrës, një veprimtari me rastin e Ditës Botërore të Diabetit.
Ishin të pranishëm kryebashkiaku i Durrësit, z. Vangjush Dako; prefekti i qarkut, z. Rolant Xhelilaj, drejtorja e spitalit rajonal të Durrësit Ardiolë Frashëri si dhe personalitete të tjerë të qytetit.
Veprimtaria ndërgjegjësuese synonte bashkimin e të gjithëve në një zë të fuqishëm për të parandaluar diabetin, këtë “pandemi”të re globale.
Me këtë rast mjekët kanë kryer edhe matjen e thjeshtë të glicemisë falas për qytetarët e shumtë, që kishin ardhur për t’u kontrolluar nëse kanë ose jo shenjat e diabetit.
Në Durrës janë identifikuar 8 000 raste me sëmundjen e diabetit dhe sipas mjekëve të Durrësit, prirja është në rritje ndaj edhe veprimtari të tilla shërbejnë për të rritur ndjeshmërinë e njerëzve që kjo sëmundje të mbahet nën kontroll dhe të parandalohet.
Info
Diabeti është një sëmundje kronike me kosto të lartë sociale, shëndetësore dhe ekonomike.
Diabeti ka kosto të lartë sociale, sepse diabeti nuk prek vetëm një njeri, nëse ka një person në familje me diabet e gjithë familja, komuniteti, preket dhe ndikohet në mënyra të ndryshme nga kjo sëmundje.
Diabeti ka kosto të lartë shëndetësore, pasi është një sëmundje, që, po nuk u zbulua dhe u mjekua në kohë dhe në mënyrë të rregullt, shkakton ndërlikime serioze si sëmundje kardiovaskulare, verbim, sëmundje të veshkave, amputime të këmbëve etj.
Te personat me diabet, rreziku për sëmundje kardiovaskulare është 2-4 herë më i lartë se te personat pa diabet, ose amputimet e këmbës janë 10 herë më të shpeshta se te personat pa diabet.
Por diabeti ka edhe kosto ekonomike, sepse diabetiku ka nevojë për medikamente, trajtime dhe ekzaminime që shpesh janë të kushtueshme.
Diabeti e rrit koston e jetës së diabetikut me të paktën 25 për qind.
/th. m. agjencia lajmeve “Dyrrah”/





