Dy vjedhje dhe një tjetër e mbetur në tentativë, janë regjistruar në Durrës gjatë 24-orëshit të fundit.

Sipas burimeve zyrtare policore, mësohet se në lagjen nr.13 janë vjedhur një market dhe një banesë, ku janë marrë konkretisht një sasi paketash dhe disa bizhuteri.

Ndërsa një banesë në lagjen nr. 14 është tentuar të vidhet nga një adoleshent, por nuk ka mundur dot, pasi ndryshe nga dy rastet e tjera, autori është kapur në flagrancë nga pronari i banesës.

Tri rastet:

Komisariati i Policisë Durrës

1. Më datë 25.05.2018, u referuan materialet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për shtetasin E.D, vjeç 16, banues në Durrës, pasi gjatë natës, në lagjen nr 14, ka tentuar të vjedhë banesën në pronësi të shtetasit N.S, vjeç 69. Neni 134/2 e 22 të Kodit Penal

2. Më datë 25.05.2018, gjatë natës, në lagjen nr. 13, është vjedhur marketi në pronësi të shtetasit Z.F, vjeç 59, ku kanë marrë një sasi cigaresh të markave të ndryshme. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Neni 134 i Kodit Penal

3. Më datë 25.05.2018, në lagjen nr. 13, persona të paidentifikuar kanë vjedhur banesën e shtetasit V.P, vjeç 59, i kanë marrë disa bizhuteri. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Neni 134 i Kodit Penal.