DURRËS, 19 janar 2014 – Paraditen e së dielës, më 19 janar 2014, ora 11.00, në sallën operative të drejtorisë së policisë së shtetit të qarkut Durrës-Krujë ka mbërritur një njoftim mbi vjedhjen e zyrës së Partisë Demokratike në qytezën e Manzës së bashkisë me të njëjtin emër. Në vendngjarje kanë shkuar dhe po ndjekin veprimet shërbime të komisariatit të Shijakut. Sipas burimeve zyrtare, nga verifikimet e para, doli se depërtimi në mjediset e kësaj zyre është bërë nëpërmjet një hapësire të krijuar në murin e pasmë të ndërtesës. Krahas përvetësimit të disa orendive të zyrës si frigorifer, fotokopje, printer, kompjuter dhe rreth 20 copë karrige, brenda u konstatuan edhe katër vatra zjarri (të cilat nuk kanë shkaktuar djegie të mëtejshme). Grupi Hetimor i krijuar po vijon veprimet e para në funksion të grumbullimit të provave e fakteve në vendin e ngjarjes. Njëkohësisht po hetohet lidhur me identifikimin e autorëve të kësaj vjedhje.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/