Durrës, 28 mars 2014 – Një agjenci turistike është vjedhur natën e së mërkurës në lagjen nr.4 të qytetit të Durrësit. Vjedhja është konstatuar nga pronari i saj në mëngjes. 61 vjeçari P.R. nga Durrësi ka denoncuar në polici faktin, se hajdutët i kanë vjedhur nga kasa shumën prej 2450 euro dhe 100 mijë lekë. Pronari i agjencisë nuk e kishte tërhequr nga kasa shumën e siguruar një ditë më parë nga shitja e biletave të udhëtimit dhe kjo ka favorizuar hajdutët që të largohen nga aty me një shumë të mirë parash. Nuk dihet ende nëse personat që realizuan vjedhjen kishin apo jo dijeni për faktin se në agjenci ndodhej një shumë e konsiderushme parash. Policia ka nsur hetimet për të identifikuar autorët e kësaj vjedhjeje.
Në po të njëjtën ditë, por këtë herë në Thumanë të Krujës, hajdutët kanë vjedhur me thyerje punishten e një 39 vjeçari. Ata kanë arritur të marrin një sërë veglash pune, shuma totale e të cilave kap vlerën 50 mijë lekë. Edhe për këtë rast policia ka nisur hetimet për të zbuluar autorin e kësaj vjedhjeje.
Vlen të përmendet fakti se vjedhjet kanë nisur të kthehen dy muajt e fundit në fenomen mjaft shqetësues në qarkun e Durrësit. Mesatarisht çdo ditë raportohen 2-3 apo dhe më shumë vjedhje. Krahas banesave dhe njësive tregtare hajdutët nuk kanë lënë jashtë shenjëstrës së tyre edhe vegla pune, bagëti apo pompa uji.
Vetëm një ditë më parë, policia e Durrësit arrestoi dy të rinj, që akuzoheshin si bashkëautorët e vjedhjes së 7 lokaleve e banesave në lagjet nr. 14, 16 dhe 17 të qytetit bregdetar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





