Durrës, 18 gusht 2014 – Plot 53 mijë euro kanë ‘avulluar’ nga një nga tragetet e linjës Bari – Durrës.
Denoncimi është bërë nga shtetasi italian R.B., 51 vjeç, i cili ka konstatuar mëngjesin e së shtunës se në zyrën e tij të punës mungonte kasaforta me përmasa 50x 30 x 30cm, brenda së cilës ruhej shuma prej 53 mijë euro.
Mësohet se 51 vjeçari ishte kryearkëtari i tragetit dhe në kasafortë ndodheshin të ardhurat e siguruara nga shitja e biletave si dhe para të nevojshme për të shlyer detyrimet e zakonshme kundrejt palëve të treta.
Deri tani policia e Durrësit nuk ka arritur të identifikojë autorin/ët e kësaj vjedhjeje, ndërkohë që deklaron se po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Mendohet se vjedhja ka ndodhur gjatë kohës së imbarkimit të pasagjerëve në Bari ose gjatë udhëtimit nga brigjet italiane drejt portit detar të Durrësit mbrëmjen e së premtes dhe mëngjesin e së shtunës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





