Zyra e Punës në Durrës, teksa ka hapur një profil të ri në Facebook, ka lajmëruar se profili i mëparshëm nuk është më nën administrimin zyrtar të këtij institucioni dhe, si i tillë, gjithçka që njoftohet aty nuk mund të konsiderohet zyrtare dhe e vërtetë.
Dy ditë më parë, në profilin tashmë të lajmëruar si të vjedhur të Zyrës së Punës në Facebook, ishte publikuar një njoftim ku kërkoheshin duartrokitës për Kongresin e Partisë Soclialiste. Ky njoftim gjeti edhe pasqyrim në media, derisa u kuptua se ishte krejtësisht i rremë.
Brenda një kohe të shkurtër, njoftimi në fjalë u hoq nga ai profil i Zyrës së Punës së Durrësit, ndërkohë që tashmë ka ardhur edhe njoftimi tjetër, se në atë profil kishin ndërhyrë persona të paautorizuar.
Duke hapur një profil të ri, Zyra e Punës së Durrësit njofton se “adresa “Zyra e Punës Durrës” është vjedhur nga persona të padenjë, pa dijeninë tonë. Këtë gjë e konstatuam pas një publikimi… [që] nuk është bërë nga poseduesit e kësaj adrese dhe nga vetë Zyra e Punës Durrës. Tashmë kjo adresë nuk komandohet më nga vetë Zyra e Punës Durrës, por nga keqbërësit. Ju lutem, mos merrni në konsideratë njoftimet që janë bërë [atje] nga tani e më pas.”





