DURRES, 12 shkurt 2013 – Fenomeni i vjedhjes së pusetave është mjaft prezent në qytetin bregdetar, sidomos në lagjet periferike të tij, ku shumë nga kapakët e pusetave janë grabitur dhe megjithëse në disa raste janë zëvendësuar janë grabitur rishtas.
Një ditë më parë efektivët e policisë së Durrësit kanë ndaluar në zonën e plazhit dy adoleshentë, 15 dhe 14 vjeçar, të cilët kishin me vete kapakë metalikë pusetash, që dyshohet se i kanë vjedhur në lagje të ndryshme të qytetit bregdetar.
Burime zyrtare të komisariatit të policisë Durrës bëjnë të ditur se ‘më datë 11.02.2013 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A.H., 15 vjeç, banues në Durrës dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shkak të moshes ndaj shtetasit R.Rr., 14 vjeç, banues në Durrës.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë rreth orës 14.00 nga shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, me një sasi kapakësh metalikë pusetash, të cilët dyshohet se i kishin vjedhur në qytet. Dy të rinjtë akuzohen për vjedhje në bashkëpunim”.
Grabitja e kapakëve të pusetave dhe shitja e tyre për skrap është një fenomen që vazhdon prej vitesh. Nisur nga pesha e tyre e rëndë ato janë një pre shumë e lakmuar për mbledhësit e skrapit. Por nga ana tjetër ato kanë krijuar shumë probleme për kalimtarët dhe drejtuesit e automjeteve, pasi në shumë raste janë bërë burim aksidentesh të ndryshme.
(m.b./AGJENSIA E LAJMEVE "DYRRAH")





