Në vigjilje të festës së Krishtlindjes, at Bernard Caruana, famulltari i kishës së Shën Domenikut në Durrës ka përcjellë mesazhin e tij të urimit për të gjithë besimtarët katolikë.
Duke u ndalur tek rëndësia e kësaj feste, në urimin e tij at Bernardi vë theksin te gëzimi që sjell lindja Jezu Krishtit tek të krishterët dhe se sa mirë është të mos ndjehesh i braktisur nga ai.
“Sa bukur është të ndjehesh jo i braktisur, jo i mënjanuar sepse është një zot që të kujton ty dhe ky është urimi im jo vetëm për të krishterët por për të gjithë qytetarët e qytetit tonë bregdetar. Ju kujtoj se zoti realisht është me ne. Sot është me ne edhe nëpërmjet teje. Mos ki frikë të guxosh më shumë në jetën tënde, mos ki frikë të duash pak më shumë, të falësh pak më shumë, ndoshta është shumë e vështirë por nuk je vetëm, zoti të ka besuar edhe një bashkësi, të ka besuar dikë tjetër. Kërko ku dëshiron të takohesh me zotin. Ju uroj ju që po ndiqni këtë video dhe sidomos të gjithë qytetarëve të Durrësit, Krishtlindje të bardha dhe të shenjta.”, u shpreh at Bernardi.





