Premiera e komedisë së zezë “Rruga pa emër” e regjisorit rumun Vlad Trifas u shfaq mbrëmjen e së hënës në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Për më shumë se 2 orë, publiku i pranishëm në sallë ndoqi veprën e shkruar ekskluzivisht për trupën e Durrësit nga Cosmin Pana e cila flet për historinë e dy shokëve të ngushtë, që marrin një udhëtim në kërkim të dashurisë, por që përballen me aventura nga më të ndryshmet.

“Është një histori për njerëz, që ju mund t’i takoni në rrugë. Ata shfaqen me problemet, fajet, mëkatet, por edhe aspiratat e tyre. Nuk është vetëm një vepër realiste, por sipas këndvështrimit tim është edhe një vepër spirituale”,- thotë për “DurrësLajm” autori i shfaqjes Cosmin Pana.   

“Para së gjithash është një pjesë për ne, ballkanasit, ndërsa arsyeja e dytë pse duhet të vini të shihni është sepse është një histori magjike dhe ne kemi nevojë për magji në jetën tonë. Është gjëja për të cilën kemi më shumë nevojë”,- thotë regjisori Vlad Trifas.

Komedia “Rruga pa emër” sjell për publikun durrsak mjaft risi si në skenografi ashtu edhe në mënyrën e konceptimit të marrëdhënies së aktorëve me skenën e transformuar nga formati tradicional i teatrit klasik.

Kjo është hera e tretë në historinë e tij 71-vjeçare, që teatri i Durrësit realizon një bashkëpunim me regjisor të huaj.

Pas premierës së mbrëmshme, komedia do të vijojë të shfaqet në datën 16 korrik.

M.B.