11 korrik 2015 – Puna e nisur në muajin prill të këtij viti nga personeli i qendrave shëndetësore në rajonin e Durrësit mbi kontrollin shëndetësor falas për grupmoshën nga 40 deri 65 vjeç, ka një ecuri pozitive.
Është ky një projekt i Ministrisë së Shëndetësisë i financuar nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Në rajonin e Durrësit ku përfshihen Durrësi, Kavaja dhe Kruja jane të hapura 33 qendra shëndetësore, nga të cilat 18 i përkasin vetëm Durrësit.
Sipas një plani pune të mirëkoordinuar nga kjo drejtori, dita e kontrollit përkon me ditën e lindjes së pacientit, i cili njoftohet më parë për ditën e vizitës nga ana e personelit të qendrës shëndetësore ku dhe pacienti është i regjistruar.
Drejtori i DRSKSH-së Ani Dyrmishi shprehet se në zonat rurale ky proces ecën me ritme më të larta.
“Në rajonin tonë, ku veç Durrësit përfshihen Kavaja dhe Kruja, kemi të evidentuar në total 144.639 persona që i perkasin grupmoshës 40-65 vjeç, nga të cilët rreth 25 mijë kanë kryer tashmë vizitën e parë mjekësore pranë qendrave shëndetësore.”
Risi për pacientët është pajisja e tyre me kartën elektronike të shëndetit e cila zëvendeson librezën shëndetësore. Siç shprehet drejtori Dyrmishi, procesi i pajisjes së pacientëve me kartën elektronike të shëndetit i paraprin një tjetër procesi që pritet të fillojë së shpejti, pikërisht aplikimit të recetës elektronike online, ku për këtë qëllim qendrat shëndetësore janë pajisur me bazën e nevojshme për lëshimin e kësaj recete elektronike, ku Durrësi është qyteti ku do të aplikohet për herë të parë ky projekt pilot i Ministrisë së Shëndetësisë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/