DURRËS, 25 dhjetor 2013 – Mezi ka përfunduar, paraditen e 25 dhjetorit, pas mbi tri ditësh, shkarkimi i anijes së kontejnerëve “Warnow Beluga” me 287 njësi, kur normalisht përpunimi i mjetit lundrues duhet të mbyllej brenda një dite. Për shkak të mospranimit nga koncesionari “Kurum” i terminalit të kontejnerëve i nënshkrimit të kontratave, për “Warnow Beluga”-n operatorët shqiptarë kanë paguar mbi 30 mijë euro për ditë-vonesat (kontrastali). Sikurse është bërë e ditur, “Durres Terminal Container” ka marrë me qira nga APD-ja (Autoriteti Portual Durrës) sha qysh nga janari 2013, me kontrata dymujore, dy vinça të lëvizshëm: “Fantuzzi” MHC 200 me kapacitet ngritës 120 tonë, prodhim i vitit 2004, dhe “Fantuzzi” MHC 115 me kapacitet ngritës 60 tonë, prodhim i vitit 2008. Por, për shkak të ndërhyrjeve të kundërligjshme dhe joprofesionale në sistemin kompjuterik nga turqit, vinçat janë defektuar. Nëse më 23 dhjetor 2013 APD-ja dha OK të punojë vinçi “Fantuzzi” MHC 115 me kapacitet ngritës 60 tonë, tjetri, ai me kapacitet ngritës 120 tonë, është ende me defekt (shih foton kryesore, ku dallohet shiriti i bllokimit). Vinçi me kapacitet ngritës 60 tonë përballon vetëm 30 për qind të vëllimit ditor që duhet të përballojë Kurum-i, kompania monopol e përpunimit të kontejnerëve. Kështu, nga 4 anijet që presin të mërkurën për shkarkim në port dhe radë, fatkeqësisht, do t’u bjerë radha në janar 2014 të dalin nga porti. Dëmet e shqiptarëve janë të pallogaritshme, ndërkohë që “Kurum”-i prish imazhin e portit të Durrësit për shkak të menaxhimit të dobët.
Vetëm “Sot” & “Shqip”, gazetarët vendorë presin lajme me mot të keq
Mbështetur në shkrime të “Dyrrah”-ut në numrin e 25 dhjetorit 2013 e përditshmja “Sot” ka hapur faqen e parë (shih faksimilen) me titull kryesor (banner): “Skandali, Kurum bllokon 4 anije me 837 kontenierë në Portin e Durrësit, kompania monopol i Sali Berishës”, duke i rezervuar një faqe të plotë (pesën) të shkruar nga zëvendëskryeredaktori Adriatik Doçi. Rreth shqetësimeve të operatorëve shqiptarë ka shkruar në numrin e 24 dhjetorit 2013 (shih faksimilen) e përditshmja “Shqip” (titull e nëntitull: “Mosmarrëveshje mes kompanive dhe autoritetit portal / Porti i Durrësit, bllokohet terminali i përpunimit të kontejnerëve”). Vëmë në dukje se gazetarja e njohur Vali Qyrfyçi është e vetmja nga kolegët e saj durrsakë që është marrë me këtë problem të mprehtë, madje me profesionalizëm të dukshëm. Të tjerët, presin ndonjë njoftim qyl nga drejtoria vendore e kufirit e migracionit për hyrje-dalje udhëtarësh me rastin e vitit të ri (nuk interesohen të mësojnë faktin se nga viti në vit po bie numri i udhëtarëve me traget!) dhe për prishje moti, ku pezullohet puna dhe lundrimi i peshkatoreve.
“Dyrrah”-u riboton të plotë shkrimin e Qyrfyçit: 
Bllokohet tregu shqiptar i kontejnerëve. Mungesa e mjeteve eficente për përpunim dhe mosmarrëveshjet mes kompanisë turke “Kurum” dhe Autoritetit Portual Durrës kanë çuar në ndërprerjen e plotë të shërbimeve nga “Kurum” në terminalin e kontejnerëve në Portin Detar të Durrësit. Menjëherë kanë reaguar kompanitë që kryejnë transportin e kontejnerëve se situata po u shkakton një dëm të pallogaritshëm. Kontrata 35-vjeçare e koncesionit mes kompanisë turke dhe qeverisë shqiptare është vënë në diskutim dhe pritet të rishikohet, ndërkohë që tri kompanitë që kryejnë transportin detar të kontejnerëve në vend deklarojnë për dëm të madh ekonomik nga papërgjegjshmëria e kompanisë dhe bllokimi i veprimtarisë së saj nga Autoriteti Portual. Ermir Maliqati, përfaqësues i kompanisë “Pelikan” që prej vitesh bashkëpunon me një nga kompanitë lider në botë për transportin e kontejnerëve “CMA CGM Group”, thotë për gazetën “Shqip” se situata është shumë e rëndë. Aktualisht, në port qëndrojnë në pritje për t’u përpunuar 3 anije, 1 në kalatë, anija “Warnow Beluga” me 287 njësi kontejnerike, dhe 2 në radë, ndërsa priten edhe 2 të tjera, me mbi 800 kontejnerë në total me mallra, kryesisht të sezonit të festave, ndërsa dëmi i shkaktuar llogaritet i madh nëse nuk do të zhbllokohet situata në këtë fundviti. Për çdo ditë vonesë, vetëm kosto ditore e anijes kap vlerën e 10 mijë eurove.
Kompanitë që realizojnë në Shqipëri transportin e kontejnerëve me linjat ndërkombëtare detare, përkatësisht “Pelikan”, “Mediterran” dhe “Go Shipping”, i janë drejtuar me një letër proteste kompanisë “Kurum”, Autoritetit Portual Durrës dhe për dijeni ministrit të Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto me kërkesën për të ndërhyrë dhe për të kthyer në normalitet sa më parë situatën e cila regjistron një kosto të lartë, jo vetëm për transportuesit dhe bizneset pritëse të mallit, një pjesë e të cilit është transit për në Kosovë, por edhe për krejt ekonominë. Mungesa e përvojës në aktivitetet portuale e “Kurum”-it duket se ka ndikuar në mirëmbajtjen teknike të dy vinçave të marra me qira nga porti, ndërkohë që vinçi i sjellë së fundmi nga kompania, ai i tonazhit 150 tonë, deklarohet se është i rëndë për kapacitetin mbajtës të kalatës. Kjo situatë e ka nxjerrë jashtë pune terminalin e kontejnerëve në Portin e Durrësit, ndërsa “Kurum” nuk ka pranuar në asnjë rast të lidhë kontrata me kompanitë e transportit, duke shmangur përgjegjësitë ndaj dëmit që u krijon atyre. “Kurum” ka përdorur shërbimin monopol që ofron për të shmangur kontratat e ligjshme që e ngarkojnë me detyrime. Lidhur me situatën, Autoriteti Portual Durrës ka shmangur deklarimet, po ashtu dhe drejtori i përgjithshëm i terminalit, Mesut Yanar. Dje është zhvilluar një takim mes drejtuesve të APD-së dhe “Kurum”-it, po rezultati i tij deklarohet se ka qenë negativ. Asgjë nuk është zgjidhur, ndërsa elektrovinçat qëndrojnë pa lëvizur brenda terminalit dhe bashkë me to, në heshtje pret dhe anija “Warnow Beluge”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





