DURRES, 7 qershor 2013 – Vijon puna për rehabilitimin e infrastrukturës, të blloqeve të banimit në rrugët “Principata e Balshajve” e “Bukureshti", në lagjen numër 18 Durrës.
Një fadromë si dhe punonjës të kompanisë private po punojnë për largimin e inerteve nga hapësirat publike përpara pallateve si dhe shtrimin e sipërfaqës së dëmtuar.
Aktualisht rrugët janë niveluar e shtruar me çakull, ndërsa më pas do të punohet për asfaltimin e tyre.
Edhe pse në kohë fushate, kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, deklaron se puna për rehabilitimin e asaj zone nuk do të pezullohet në asnjë moment.
"Bashkia e Durrësit është e angazhuar në vazhdimin e detyrave të saj, në dobi të qytetarëve. Nëpërmjet këtij përkushtimi, ne do të realizojmë të gjithë projektet e nisura duke mos i lënë përgjysëm, duke e kthyer qytetin e Durrësit në një qytet ku jetohet mirë", nënvizoi Dako në fjalën e tij.
Në një kohë që garanton banoret se ky investim jo vetëm do të përfundojë shumë shpejt, por do të eliminojë përgjithmonë problemet e mbartura nga mungesa e vëmendjes prej me shumë se 20 vjetësh, Dako pohon se vonesat e krijuara përgjatë punimeve në këto blloqe banimi, kanë ardhur edhe si pasojë e kohës së keqe dhe reshjeve të shiut që kanë shoqëruar qytetin bregdetar përgjatë ditëve të fundit.
/e.a. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





