DURRES, 4 mars 2013 – Virozat e stinës janë shkaku kryesor që gjatë ditëve të fundit pediatria e spitalit të Durrësit është më e populluar se zakonisht. Rreth 110-130 fëmijë, kryesisht nga 1 deri në tetë vjeç paraqiten çdo ditë në Urgjencën e Pediatrisë.
Sipas mjekëve pediatër, simptomat kryesisht kanë qënë të shoqëruara me temperaturë të lartë, kollë, të vjella dhe vështirësi në frymëmarrje. Bluzat e bardha shprehen se në asnjë prej këtyre rasteve nuk ka pasur fëmijë me komplikacione të rrezikshme. Sipas tyre, shtimi i numrit të të sëmurëve lidhet me ndryshimin e shpeshtë të temperaturave.
E njëjta situatë paraqitet edhe në urgjencën e spitalit, ku sipas të dhënave të ditëve të fundit vihet re një shtim i rasteve të pacientëve që kanë kërkuar ndihmën e bluzave të bardha.
Mjekët deklarojnë se kjo është një situatë normale në muajin që jemi dhe rekomandojnë të sëmurët të tregohen të kujdesshëm dhe në raste komplikacionesh t’i drejtohen urgjencës së spitalit.
/m.l. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





