·        87 për qind më shumë të ardhura se në vitin 2013

DURRËS, 7 janar 2015 –  Amfiteatri i Durrësit ka dhënë një “prodhim” prej 2 014 200 lekësh në vitin 2014, nga 1 145 100 lekë në vitin 2013, kjo për faktin se ka pasur 6 714 vizitorë me pagesë, nga 3 817 të tillë një vit më parë.

Drejtori i drejtorisë rajonale të kulturës kombëtare (DRKK) Durrës Ledion Lako ka paraqitur grafikët me të dhënat krahasimore të numrit të vizitorëve dhe të të ardhurave të grumbulluara në amfiteatër në vitet 2013-2014.

Siç vihet re lehte, në tabelën e parë, kolonat ngjyrë tulle, të cilat paraqesin numrin e vizitoreve pa pagesë (delegacione të ndryshme, nxënës shkollash gjatë procesit mësimor, etj), janë pothuajse të barabarta. Diferencën e përbëjnë kolonat blu të vizitorëve me pagese. Rritja e numrit të tyre është dëshmi, si e një pune më të mirë promovuese, ashtu edhe e seriozitetit maksimal qe ka treguar DRKK Durrës gjate vitit 2014 për mbledhjen e të ardhurave, thotë Lako. Kjo ka bërë që në buxhetin e shtetit të derdhet një shumë 87 për qind më e madhe se ajo e vitit paraardhës, sikurse duket qartë në grafikun e të ardhurave.

Lako është i bindur se gjatë vitit 2015 këta tregues do të rriten shumë më tepër, ne saje të rritjes së ofertës turistike, me hapjen e Muzeut Arkeologjik, si dhe përkujdesjes për t’i bërë më të vizitueshme edhe monumentet e tjera të qytetit.

Info në shifra

Gjatë vitit 2013, ka pasur gjithsej 6 497 vizitorë, ku me pagesë ishin 3 817 veta, prej të cilëve u arkëtuan 1 145 100 lekë. Po ashtu ka pasur 2 680 vizitorë pa pagesë.

Kurse viti 2014 ka shënuar një hop të madh: 9 787 vizitorë, ku me pagesë ishin 6 714, prej të cilëve u arkëtuan 2 014 200 lekë. Po ashtu ka pasur 3 073 vizitorë pa pagesë.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/