Buxheti i këtij viti, për Bashkinë e Durrësit, është rritur ndjeshëm, krahasuar me vitin e kaluar, por ende mbetet shumë larg viteve të veta më të mira. Nga ana tjetër, Bashkia e Durrësit është rritur disa herë në sipërfaqe dhe burime, ndërkohë që buxheti, në realitet, rezulton më i vogël se ç’pritej. Njëkohësisht, duke qenë i pari buxhet i hartuar sipas ndarjes së re administrative-territoriale, ai nuk parashikon të ashtuquajturat “projekte të kohezionit”. Megjithatë, fondet për infrastrukturën rrugore të njësive administrative janë parashikuar të shtohen ndjeshëm.
Buxheti i Bashkisë së Durrësit, që për këtë vit parashikohet të jetë 2,21 miliardë Lekë, krijohet nga dy burime: të ardhurat vendore dhe fondet e alokuara nga qeveria. Për këtë vit, këto të fundit, në formë të pakushtëzuar dhe të kushtëzuar, janë pak më shumë se 850 milionë Lekë. Krahasuar me vitet e fundit, fondet e alokuara nga qeveria kanë ruajtur të njëjtat nivele. Për vitin që kaloi, ato ishin afro 460 milionë Lekë, ndërkohë që në vitin 2014 ishin afro 438 milionë Lekë. Dukë marrë parasysh ndarjen e re administrative-territoriale, Bashkia e Durrësit është zgjeruar, duke përfshirë edhe pesë njësi të tjera vendore, dhe fondet e alokuara nga qeveria janë në raport të drejtë me ato që ishin alokuar në të kaluarën.
Por, të ardhurat vendore janë parashikuar shumë pak. Për vitin 2016, Bashkia e Durrësit synon të mbledhë 1,35 miliardë Lekë nga të gjitha taksat dhe tarifat vendore. Për vitin 2015 dhe 2014, të ardhurat vendore ishin parashikuar afro 1,25 miliardë Lekë, në një kohë që territori dhe burimet e Bashkisë së Durrësit ishin më të vogla.
Mungojnë projektet e kohezionit
Më parë, Bashkia e Durrësit përfaqësohej vetëm nga qyteti i Durrësit, me sipërfaqe 46,3 kilometra katrorë dhe 210 mijë banorë. Ndërkohë, sot, Bashkia e Durrësit ka tre qytete: Durrës, Sukth dhe Manëz, dhe 39 fshatra, me sipërfaqe 346 kilometra katrorë dhe mbi 300 mijë banorë.
Për këtë arsye, që kur diskutohej ndarja e re administrative-territoriale, shihej si e domosdoshme që, që në fillim, të ndërmerreshin të ashtuquajturat “projektet e kohezionit”, të cilat do të ishin ndërhyrje që do të bashkonin territorin dhe do të garantonin funksionalitetin e njësisë së re vendore.
Por, për këtë vit, nuk do të ketë investime në infrastrukturën urbane bregdetaro-turistike, që tashmë shtrihet nga Kepi i Rodonit në veri deri në kufi me Kavajën në jug, me qëllim unifikimin e saj. Njëkohësisht, nuk do të ketë ndërhyrje për urbanizimin e dy qyteteve të tjera: Sukthit dhe Manzës, të cilat kanë nevojë urgjente për sistemimin e rrjeteve të kanalizimeve, të ndriçimit publik, etj.
Padyshim që fondet e buxhetit të një viti të vetëm do të ishin të pamjaftueshme për një gjë të tillë, por zbatimi i projekteve të tilla duhet të fillojë me faza, për të nxitur zhvillimin e gjithanshëm të të gjitha burimeve të territorit.
Ndërkohë, buxheti i këtij viti nuk parashikon as ndërhyrje për zgjidhjen e problemeve që reshjet dhe përmbytjet nxorrën në dritë, veçanërisht në zonën e Sukthit dhe Katundit të Ri. Bashkia e Durrësit është në fazën përfundimtare të adoptimit të Strategjisë Territoriale 2015 – 2030. Megjithatë, buxheti i këtij viti nuk pasqyron thuajse asgjë nga objektivat ndërsektorialë të zhvillimit, qoftë edhe pjesërisht, si: zhvillimi i bujqësisë; krijimi i tregjeve fshatarë rajonalë; sistemi i kanaleve kulluese të tokave bujqësore; mbrojtja e tokave nga erozioni; ndërthurja e sistemit të transportit rrugor me bujqësinë, zonat industriale dhe bregdetin, etj.
Infrastruktura rrugore e njësive të reja duket se do të marrë pjesën më të madhe të investimeve, për të cilat janë parashikuar 120 milionë Lekë.
Megjithatë, buxheti i këtij viti është ende në fazën e diskutimit me publikun dhe grupet e interest. Më pas, ai do të kalojë për diskutim në komisionet e Këshillit Bashkiak. Ndoshta këto diskutime mund të sjellin edhe ndonjë ndryshim në alokimin e fondeve.
Ajo që vihet re nga prezantimi i parë i buxhetit të këtij viti, duket qartë se ai është rritur në krahasim me vitet e kaluara, ndonëse jo në nivelet që ndoshta pritej. Qeveria ka alokuar fonde të konsiderueshme, duke i dhënë edhe lirinë Bashkisë së Durrësit të përdorë si të dojë afro 573 milionë Lekë, në formë transferte të pakushtëzuar.
Buxhetet e Bashkisë së Durrësit ndër vite
- Buxheti 2016 – 2,21 miliardë Lekë
- Buxheti 2015 – 1,71 miliardë Lekë
- Buxheti 2014 – 1,80 miliardë Lekë
- Buxheti 2013 – 1,52 miliardë Lekë
- Buxheti 2012 – 1,78 miliardë Lekë
- Buxheti 2011 – 2,09 miliardë Lekë
- Buxheti 2010 – 2,39 miliardë Lekë
N. H.





