DURRËS, 23 qershor 2914 – Vitin e ardhshëm në Shqipëri do të zhvillohet një stërvitje ushtarake-detare ndërkombëtare me pjesëmarrjen e mjeteve lundruese të 6 vendeve të Adriatikut dhe Jonit.
Komanda e Forcës Detare shqiptare me seli në Plepa të Durrësit bëri të ditur se në vitin 2015 Shqipëria do të presë zhvillimin e stërvitjes Adrion Livex-15 dhe Computer Assisted Exercise (CAX).
Stërvitja CAX mundësohet për herë të parë në vendin tonë pas krijimit të kapaciteteve shumë të mira që ofron Qendra e Simulimit.
Ky vit e gjen Forcën Detare me katër anije të klasit “Iliria”.
ADRION-i është një nismë bashkëpunimi midis vendeve të Adriatikut dhe Jonit ku përfshihen Shqipëria, Kroacia, Greqia, Italia, Mali i Zi dhe Sllovenia në fushën e sigurisë detare.
Ky deklarim u bë pas kthimit në Durrës të anijes “Lissus P-133” që mori pjesë në stërvitjen rajonale “Adrion Livex-14” në Kroaci.
Stërvitja ishte konceptuar në dy faza kryesore, trajnimin dhe integrimin e forcave ne tokë dhe në stërvitje në det.
Në ditën e parë u zhvillua konferenca para lundrimore, si dhe u zhvilluan ëorkshope për serialet e stërvitjes, komunikimin, si dhe nga grupi i ardhur nga shkolla e ekselencës së NATO-s NMIOTC.
Gjatë ditës në vazhdim anijet dhe ekuipazhi zhvilluan demonstrime të manovrimit taktik, operacione kërkim-shpëtimi (SAR), operacione zbulimi të objekteve të dyshuara në rajon, marrja në pyetje dhe raportimi tek komandanti i operacionit, procedurat e komunikimit dhe të bordimit, si dhe furnizimi në det me karburant dhe materiale.
Komandanti i Forcës Detare, gjeneral brigade Qemal Shkurti, pjesëmarrës në këtë aktivitet, u informua nga drejtuesi i stërvitjes, kapiteni i rangut të I-rë Milenko Crljen, për përfaqësimin dinjitoz dhe profesional të anijes “Lissus P-133” në këtë stërvitje.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





