Durrës, 31 maj 2014 – Një 81 vjeçar nga Durrësi, F.B., del çdo mëngjes në anë të një rruge në lagjen nr.12, në Durrës për të shitur çikërrima, si paketa cigaresh, çakmakë, çamçakëza, stilolapsa etj, me të cilat siguronte disa lekë më shumë për veten e tij dhe familjen.
Edhe paraditen e djeshme ai është drejtuar si zakonisht drejt vendit të përhershëm me shpresën se do të fitonte ndonjë lek. Po ndërsa priste të shiste ndonjë gjë, ai është sulmuar rreth orës 10.00 nga dy djem të rinj, Fatmir Krasniqi, 30 vjeç dhe Elis Bela, 32 vjeç, të dy me banim në Durrës.
Dy të rinjtë i kanë vjedhur të moshuarit çakmakët që kishte në tavolinën e tij ambulatore dhe janë larguar me të shpejtë. Në pamundësi për t’i ndalur të rinjtë, 81 vjeçari i është drejtuar një polici që ndodhej aty pranë, të cilit i tregoi çfarë kishte ndodhur.
Ky i fundit ka njoftuar furgonin e policisë dhe në bazë të informacionit të dhënë nga i moshuari, efektivët e rendit kanë mundur të identifikojnë dhe të prangosin dy hajdutët në afërsi të vendit ku realizuan vjedhjen.
Dy të rinjtë e arrestuar në flagrancë akuzohen për veprën penale “Vjedhje e mbetur në tentativë”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





