DURRËS, 3 nëntor 2014 – Komisariatet e policisë Durrës, Shijak dhe Krujë, në bashkëveprim dhe koordinim me drejtorinë rajonale të operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE), nga e premtja (31 tetor) deri të dielën (1 nëntor 2014) kanë bërë 6 arrestime në flagrancë, kanë shpallur në kërkim 5 dhe po ndjekin penalisht në gjendje të lirë 3 shtetas të tjerë, referuar njoftimit të drejtorisë së policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë për operacionin kundër vjedhjes së korrentit.
Në hekura
Të dielën, më 2 nëntor 2014, ora 20.30 u arrestua S. H., banues në lagjen nr. 17 Durrës, sepse rreth orës 12.00 në lagjen nr. 14 Durrës, u kap me lidhje të paligjshme në bar-bufe.
Të shtunën, më datë 1 nëntor 2014, ora 18.00 u arrestua K. T. banues në lagjen nr. 18 Durrës, sepse rreth orës 10.00 në lagjen nr. 4 Durrës u kap me lidhje të paligjshme në biznesin e vet.
Të premten, më 31 tetor 2014, u vunë në pranga 4 veta: Xh. P., banues në lagjen nr. 13 Durrës; A. B. banues po në lagjen nr. 13 Durrës; A. I., banues në lagjen nr 13 Durrës; M. D. banues në fshatin Xhafzotaj Durrës.
Të shpallur në kërkim
Të dielën, më 1 nëntor 2014 filloi procedimi penal në mungesë ndaj I. A., banues në lagjen Nr 17/1 Durrës, sepse rreth orës 11.00 në lagjen nr. 14 u kap me lidhje të jashtëligjshme në banesë.
Kurse të premten, më 31 tetor 2014 filloi procedimi penal në mungesë për S. F., banues në lagjen Perimore Sukth; E. Xh., banues në fshatin Qinam Tiranë, i cili është shpallur në kërkim, pasi rreth orës 12.30 nga kontrolli i ushtruar në zdrukthëtarinë e vet në fshatin Qerekë të Krujës kishte lidhje të paligjshme; Sh. K. dhe M. K. banues në fshatin Xhafzotaj Durrës.
Në gjendje të lirë
Të dielën, më 1 nëntor 2014 filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Z. M. banues në Tiranë, pasi rreth orës 14.00, nga kontrolli i bërë në pronën e tij në fshatin Rrotull Shijak, u konstatuan 4 punëtorë që punonin me një betoniere duke ndërtuar një avlli 60 metra, gjithashtu u konstatua se kishte bërë dhe lidhje të jashtëligjshme të energjisë elektrike. Akuzohet për dy vepra penale: ndërtim i paligjshëm dhe lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Kurse të premten, më 31 tetor 2014, filluan dy procedime penale në gjendje të lirë për dy femra: V. T., banuese në Kashar Tiranë, sepse rreth orës 14.30 në lagjen nr. 13 Durrës, nga kontrolli i bërë në hotel “Albion”, në pronësi të saj, ka bërë lidhje të paligjshme; M. H., banuese në lagjen nr, 13 për lidhje të paligjshme në banesë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





