Durrës, 28 mars 2014 – Pamundësia për të grabitur të gjithë automjetin njëherësh, ka bërë që persona ende të paidentifikuar ta çmontojnë atë, duke i vjedhur pothuajse çdo pjesë si brenda dhe jashtë. Ngjarja është konstatuar nga pronari i automjetit, emigrant i sapokthyer nga Anglia, në kohën që ka shkuar për të marrë makinën në lagjen nr. 5, vend në të cilin e kishte parkuar.
I habitur nga grabitja e pazakontë, ai ka njoftuar policinë e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Grupi hetimor tha se automjeti tip benz CLS 350 me targa "AA 657 HT", është çmontuar nga hajdutët, duke i vjedhur katër dyert, grupin e timonit, prapakolpin dhe një gomë rezervë. Madje autorët kanë grabitur edhe një celular si dhe disa dokumenta që ndodheshin brenda automjetit.
Kjo vjedhje e konsideruar si e pazakontë për blutë e Durrësit, mendohet të ketë ndodhur gjatë natës, duke gdhirë dita e sotme. Sipas policisë, autorët ende të paidentifikuar, pasi kanë thyer njërin nga xhamat trekëndësh në derën e pasme, kanë vjedhur çdo pjesë lehtësisht të çmontueshme, duke lënë vetëm kabinën e sediljet.
/e.a. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





