Durrës, 12 maj 2014 – Afrimi i stinës së verës pritet të shoqërohet me rritjen e numrit të automjeteve në akset rrugore të qytetit të Durrësit, dhe veçanërisht në zonën turistike, që popullohet nga pushuesit.
Por shtimi i numrit të automjeteve, veç problematikave që shënon në trafik dhe në aksidente rrugore, përbën një problem më vete për policinë. Duke u nisur nga sezonet e kaluara, gjatë këtyre muajve (qershor – gusht) është i lartë numri i automjeteve që vidhen nga hajdutët. Njëkohësisht në këtë periudhë regjistrohet një numër i lartë i vjedhjeve të sendeve personale të turistëve, apo i shtëpive kur pronarët e tyre largohen për pushime.
Duke dashur t’i paraprijë kësaj situate, por më tepër edhe nga numri në rritje i shtëpive dhe automjeteve të vjedhura gjatë 2 muajve të fundit, Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit u tërheq vëmendjen qytetarëve të mos lënë në makina, sende që mund të shtyjnë në ‘ngasje’ hajdutët si dhe të kyçin mirë shtëpitë.
“Iu tërheqim vëmendjen qytetarëve për moslënie të sendeve të ekspozuara në automjete që mund të tërheqin vëmendjen e vjedhësve, si dhe për sigurim sa më të mirë të mbylljes së ambienteve në momentin e largimit nga banesa si dyer, dritare, porta, etj”,– thuhet në njoftimin e policisë.
Jo më larg se pasditen e së dielës, në lagjen nr.5 të qytetit të Durrësit, është vjedhur me thyerje automjeti tip Mercedes-Benz me targa AA 647 HJ, pronë e shtetasit D.K., 55 vjeç, banues në Tiranë, brenda së cilit është marrë një çantë dore ku ndodheshin një pasaportë, një kartë identiteti dhe një aparat fotografik dixhital.
Ndërkohë, gjatë të premtes dhe të shtunës, siç raportoi "Dyrrah", në një shkrim të datës 11 maj, u regjistruan në rrethin e Durrësit 3 vjedhje shtëpish si dhe dëmtimi dhe vjedhja e pjesëve të 3 automjeteve tip Benz.
Vjedhja e automjeteve, shtëpive, bizneseve , madje dhe bagëtive është kthyer në një fenomen shqetësues në 5 muajt e parë të këtij viti në qarkun e Durrësit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





