Dhunimi dhe vjedhjet e njëpasnjëshme të ndodhura në objektet shëndetësore në Durrës, në fillim godina e shërbimit të mamografisë pranë Spitalit Rajonal dhe më pas Poliklinika e Specialiteteve, mund të kenë prapavijë pikërisht kompanitë private të ruajtjes dhe të sugurisë së objekteve. Ky është dyshimi i ngritur nga administrata dhe personeli shëndetësor në Durrës.
Një dyshim i tillë është pasi objektet shëndetësore janë pa ruajtje fizike për momentin, pasi shërbimi i ruajtjes së godinave është në proces tenderimi. Policia e Durrësit ende nuk ka emra autorësh të dyshuar për ngjarjet që nisën që me Shkollën 9-Vjeçare “Bedrdie Bebeziqi”.
Të pyetur për cështjen e ruajtes së objekteve shëndetësore, drejtues të Spitalit Rajonal të Durrësit këto dhunime të objekteve shëndetësore i konsiderojnë si të qëllimshme. Prej disa javësh nuk ka roje të objekteve në asnjë repart spitalor. Për shkak se kontrata që kishte kompania private për ruajtjen dhe sigurinë e objekteve kishte përfunduar, punonjësit e policisë private janë larguar.
Në Repartin e Urgjencës këtë shërbim e ka mbuluar Policia e Shtetit me shërbime të saj, ndërsa në objektet e tjera vetë punonjësit i kemi organizuar. Por, gjatë natës ky shërbim mbetet i pambuluar, dhe aty ku nuk ka personel, sic është rasti i godinës së Poliklinikës së Specialiteteve dhe shërbimit të mamografisë, autorët ende të paidentifikuar kanë dhunuar objektet, thyer e shkatërruar sendet, pa vjedhur materialet e vlefshme.
Në vitin 2014, për të shmangur vjedhjet që mund t’u bëheshin objekteve shëndetësore deri në lidhje të kontratës me komaninë private të sigurimit të objekteve, drejtues të spitalit kontaktuan paraprakisht me firmën fituese, por kjo u konsiderua shkelje ligji nga ana e KLSH.
K. H.





