Në fletoren zyrtare nr.141, të datës 4 gusht, është botuar Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 445, datë 31.7.2025, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Për zbatimin e projektit të portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto-Romano”.

Qeveria Rama synon që porti i ri tregtar i Durrësit të bëhet nyja më e rëndësishme strategjike e gjithë qarkullimit tregtar me perëndimin dhe për të gjithë Ballkanin Perëndimor

290 pronarë nga zona e Spitallës dhe njësisë administrative Katund i Ri janë përfshirë në listën e shpronësimeve, që kap vlerën 815 696 300 lekë, shumë që do të përballohet nga Autoriteti Portual Durrës.

Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren Zyrtare” (në dokumentin në fund të shkrimit) dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

“Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë, në favor të Autoritetit Portual Durrës për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi”,- thuhet në VKM-në nr. 445.

Por siç mëson “DurrësLajm” pavarësisht se ASHK urdhërohet të pezullojë të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara me VKM, kjo gjë nuk po ndodh në zyrat noteriale të Durrësit.

Ditët e fundit po vijojnë të kryhen transaksione shitblerjeje, që kanë për qëllim ndryshimin e pronësisë së sipërfaqeve të tokës, që përfshihen në projekt, me qëllim rritjen e vlerës së pronës.

Pavarësisht se VKM-ja mban firmën e zv/kryeministres Belinda Balluku, ministria e së cilës ngarkohet që së bashku me institucionet e tjera të zbatojë vendimin brenda afateve ligjore të përcaktuara, vonesa të shumta po e shoqërojnë procesin e shpronësimeve.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, si ministria e linjës dhe Autoriteti Portual Durrës, si institucioni që kryen procedurat për aplikimin dhe transferimin e pronës si edhe likujdimin e pronarëve të shpronësuar, po lejojnë vazhdimin e transaksioneve mbi pasuritë e paluajtshme, megjithëse VKM-ja është shumë e qartë në këtë drejtim duke urdhëruar pezullimin e tyre.