Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Policia e Durrësit ka arrestuar një 19-vjeçar si dhe ka proceduar dy adoleshentë 16-vjeçarë pasi kanë vjedhur 23 matës uji. Lidhur me këtë rast, mësohet se e ka pësuar edhe pronarja e një pike grumbullimi hekurash.
Burimet zyrtare njoftojnë se një tjetër person i shpallur në kërkim për vjedhje është ndaluar nga forcat blu.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 19 vjeç dhe proceduan penalisht shtetasit E. C. dhe Sh. M., 16 vjeç, banues në Sukth, Durrës, pasi dyshohet se në Sukth, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur 23 matës uji. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasja M. K., 39 vjeçe, pronare në një pikë grumbullimi të hekurave ku u gjendën sendet e vjedhura.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim E. Sh., 27 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 31.10.2020 dyshohet se ka vjedhur disa sende shtëpiake në banesën e shtetasit P. D.”, thuhet në njoftimet e policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.





