Durrës, 18 mars 2014 – Pasditen e 5 janarit 2014 opinioni publik u trondit nga një ngjarje e rëndë e ndodhur në Durrës. Vojsava Arapi u dhunua nga bashkëshorti dhe i biri, të cilët në një akt të paprecedent i prenë flokët 39-vjeçares.
Ishte e dielë. Edhe pse ditë pushimi, Vojsava kishte shkuar në punë sepse ishte e vetmja që sillte të ardhura në shtëpi. Pasi kishte punuar dy orë, ajo ndalon në kishë ku merrte pjesë gjithmonë në meshën e së dielës. Djali i saj i vogël që e shoqëronte largohet për në shtëpi, ndërsa Vojsava qëndron me të motrën në kishë.
Mungesa e bashkëshortes ka irrituar Gjergjin, burrin e Vojsavës. Në momentin që gruaja vjen në shtëpi, ai fillon të ushtrojë dhunë duke i kërkuar të thotë të vërtetën pse ishte vonuar sepse nuk besonte që ishte në kishë.
Në familjen Arapi dhuna nuk ndalet dhe Gjergji bashkë me djalin 17-vjeçar, Pjetrin, i presin flokët Vojsavës. Sipas disa traditave, ky është një dënim që merrnin gratë të cilat cënonin nderin e familjes.
Gruaja arriti të largohet dhe falë një telefonate të bërë në polici nga djali i vogël i familjes polici erdhi dhe arrestoi babë e bir. Ndërkohë, 39-vjeçarja bëri edhe denoncimin në polici.
Gjykata e Durrësit vendosi masën e arrestit burg pa afat për të akuzuarit ndërkohë që çështja vazhdonte të hetohej nga Prokuroria.
“Ajo që më ndodhi mua, mos i ndodhtë askujt. Djalin e kam pasur më të lehtë ta fal, e ndjeva si nënë. Kam qenë shumë keq nga gjendja shpirtërore. Ta dija që gjërat do të shkonin kështu, nuk do të kisha lëvizur nga Mirdita. Atje burri im kishte një punë, ndërsa kur erdhëm në Durrës ai nuk gjeti punë dhe që nga ai moment gjërat u vështirësuan”, tregoi Vojsava në studion e “Pasdite në Top Channel”.
Pjetër Arapi, letra e pendesës për nënën dhe vëllain
“E dashur nënë, unë që po të shkruaj jam djali yt Pjetri.
E kam shumë të vështirë të shpreh me fjalë atë gabim të madh që kam bërë atë ditë. Të lutem mami, më fal për të gjitha shqetësimet që të kam sjellë ty dhe Elit.
Këto kohë që jam larg jush ndjej shumë mall. Më mungoni çdo moment. Të lutem nënë, më fal! Këto fjalë dalin nga thellësia e shpirtit tim. Eli, më fal për atë gjest të shëmtuar që i bëra mamit.
Mami më fal, ju dua shumë Pjetri.”
Kjo është një pjesë nga letra e pendesës që 17-vjeçari Pjetër Arapi i dërgon nënës së tij Vojsavës dhe vëllait më të vogël Elit. Datën 5 janar të këtij viti Pjetri nuk do e harrojë kurrë.
“Nga jashtë dëgjova që mami dhe babi po debatonin dhe kur u futa brenda, pashë që gjendja ishte shumë e acaruar. Unë ndërhyra për t’i qetësuar, por ndodhi ajo që ndodhi”, tregon Pjetri.
Malli për nënën dhe vëllain e bën që nga burgu ai të dërgonte një letër ku shprehte ndjenjën e thelllë të fajit dhe kërkonte faljen e nënës së tij: “Unë u pendova shumë për atë që bëra. Familja është e rëndësishme për mua. Nëna ka sakrifikuar shumë për ne dhe na ka rritur me të gjitha të mirat që ka pasur mundësi të na jepte. E dua më shumë se çdo gjë.”
Zemra e një nëne fal gjithmonë dhe Vojsava Arapi të njëjtën gjë bëri. Me ndihmën e avokatit Aleksandër Ndreaj, ajo e fali të birin, i cili është rikthyer në shtëpi. Në familjen Arapi varfëria është e madhe. Në kushte mjaft të vështira ekonomike, tre pjesëtarët e kësaj familjeje jetojnë me qira dhe e vetmja mbështetje ekonomike vjen nga Vojsava që punon në rrobaqepësi.
Por, Pjetri megjithëse 17 vjeç, më shumë kërkon një punë për të ndihmuar familjen sesa një shkollë që mund të ndihmojë atë vetë.
“Po mundohem të gjej një punë që t’i shërbej familjes sime, ashtu siç bëjnë edhe shokët e mi.”
/ Top Channel/





