DURRES, 13 prill 2013 – Bashkia e Durrësit nuk e ka dorëzuar akoma draftin e projektbuxhetit të vitit 2013 për diskutim në Këshillin Bashkiak. Edhe pse jemi në gjysmën e parë të muajit prill,  kryetari i bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, është shprehur se projekt buxheti, ende nuk është hartuar. Ai do t’ju paraqitet për diskutim këshilltarëve në Këshillin Bashkiak, pasi të miratohet paketa fiskale.

Kjo e fundit sipas Dakos, ishte planifikuar të kalonte për diskutim muajin që lamë pas, por këshilltarët e mazhorancës vendosën të shtyjnë mbledhjen e rradhës në një afat të papërcaktuar. Dako teksa bën fajtor të djathtët për mosmiratimin e paketës fiskale, e cila do t’i hapte rrugë miratimit të buxhetit, thekson se projekt-buxheti i këtij viti do të vijë më i reduktuar në shifra, pasi mungojnë fondet. Mungesa e të ardhurave si pasojë e pezullimit të lejeve të ndërtimit është një nga arsyet sipas kryebashkiakut Dako se pse buxheti do të jetë në vlerë më të ulët se ai i një viti më parë. Dako deklaron se bashkia prej kohësh, pret miratimin e planit të ri urbanistik të qytetit, në mënyrë që të rifillojë dhënien e lejeve të ndërtimeve, të cilat pritet të sjellin të ardhura të mjaftueshme pranë kësaj administrate, duke realizuar dhe objektivat që i kanë vënë vetes.

Reagimi i Kryetarit të Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti

Por ndërsa kryebashkiaku Dako akuzon mazhorancën për vonesë në miratimin e paketës fiskale, kryetari i Këshillit Bashkiak, Indrit Hamiti, deklaron se “mosparaqitja për diskutim e paketës fiskale, e cila i paraprin miratimit të buxhetit, vjen vetëm si pasojë e neglizhencës nga ana e administratës së bashkisë”.

Sipas Hamitit, “mosmiratimi në kohë i buxhetit Hamiti, do të reflektohet në mungesën e investimeve dhe shërbimeve në qytet, pasojat e të cilave i vuajnë qytetarët”. Hamiti vijon më tej duke thënë se në një kohë që na ndan vetëm një muaj nga hapja e sezonit turistik, plazhet e Durrësit lënë shumë për të dëshiruar përsa i përket infrastrukturës dhe shërbimeve. Mos miratimi në kohë i buxhetit rrezikon të çojë drejt dështimit sezonin turistik në qytetin bregdetar.

Vitin e kaluar, buxheti i 2012 u miratua në muajin maj, duke krijuar problematika të theksuara në mbarëvajtjen e punës së ndërmarrjeve të ndryshme, të cilat u detyruan të punonin me fonde të reduktuara.

Ndërsa muaji maj po afron, dhe hapja e sezonit turistik është pranë, mos paraqitja në Këshillin Bashkiak e buxhetit të 2013 krijon premisa për mangësi të shumta në mbarëvajtjen e sezonit turistik, kryesisht në drejtim të sigurimit të infrastrukturës dhe shërbimeve të nevojshme për garantimin e një pushimi komod për mijëra turistë që pritet të vizitojnë qytetin bregdetar.

/e.a. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/