Durrës, 19 mars 2014– Gjykata e shkallës së parë të Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për dy bashkëshortët Anton dhe Tereza Ndoj, ndërkohë vajza e tyre 21 vjeçare, Antoneta është lënë në arrest shtëpie.
Në seancën e zhvilluar sot në gjykatën e Durrësit, tre anëtarët e familjes Ndoj shpjeguan para trupit gjykues të gjithë dinamikën e ngjarjes së regjistruar në shtëpinë e tyre ditën e shtunë, në datë 15 mars.
Sipas kryefamiljarit Anton Ndoj, krushku dhe dhëndri, Përparim dhe Xhuliano Hoxha, i kanë shkuar në shtëpi për t’i kthyer mbrapsht vajzën e martuar vetëm pak javë më parë. Sipas tij, babai i dhëndrit dhe 24 vjeçari nuk i kanë dhënë asnjë sqarim për ndarjen, gjë që ka nxitur reagimin e Antonit. Para trupit gjykues ai ka deklaruar se ka vepruar për vetmbrojtje, pasi është sulmuar me thikë nga krushku i tij. Anton Ndoj ka pranuar se në fillim ka qëlluar me çifte në ajër vetëm për t’i trembur at e bir, por menjëherë më pas është sulmuar me thikë nga Përparimi. Ndërkohë pretendimi i Anton Ndoj është hedhur poshtë nga organi i akuzës, pasi sipas prokurorit, Ndriçim Troplini, 53 vjeçari ka qëlluar në drejtim të krushkut, por plumbi nuk e ka prekur atë.
Më pas situata ka degjeneruar në konfrontim fizik, ku krahas armës së zjarrit janë përdorur dhe thika e kaçavida. Ndërsa gruaja e Antonit, Tereza, ka deklaruar se ka humbur ndjenjat, pasi ka parë sulmin e krushkut dhe dhëndrit ndaj burrit të saj, prokurori Troplini ka deklaruar se ekzistojnë prova materiale që dëshmojnë se edhe 45 vjeçarja është përfshirë në konfliktin që rezultoi me një të vdekur dhe dy të plagosur.
Ndërkohë 21 vjeçarja Antoneta ka ndërhyrë për të shuar sherrin dhe më pas ka mbyllur derën e shtëpisë për të mos lënë burrin e saj, Xhulianon të dilte jashtë. Ndaj saj nuk ekzistojnë prova materiale që të jetë e përfshirë në plagosjen e tre personave, njëri prej të cilëve, pikërisht vjehrri i saj, Përparim Hoxha, humbi jetën më pas në spital si pasojë e plagëve të marra.
Ngjarja e rëndë u regjistrua pasditen e së shtunës, në zonën e ish-kënetës, në shtëpinë e Anton Ndoj, 53 vjeçarit me origjinë nga Mirdita. Kthimi i vajzës në shtëpi, vetëm pak javë pas martesës u përmbyll me vrasjen e 49 vjeçarit Përparim Hoxha dhe plagosjen e djalit të tij, 24 vjeçar. Ndërkohë nga të shtënat me armë zjarri mbeti e plagosur lehtë edhe një 56 vjeçare, banore e zonës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





