Durrës, 28 prill 2014 – Është arrestuar nga policia edhe i dyshuari i pestë si i përfshirë në vrasjen e biznesmenit Aurel Zenka në zonën e “Ali Demit”. Mëngjesin e sotëm është vënë në pranga shtetasi Edison Kajtazi, i cili ishte shpallur në kërkim, si i përfshirë në ngjarjes.
Një ditë më parë, gjatë një operacioni të forcave RENEA, Policisë së Tiranës dhe Policisw sw Durrwsit u bë i mundur arrestimi i shtetasve, Agron Agim Goxhaj, 36 vjeç, Artan Fredi Hasani, 42 vjeç, Enton Sazan Sada (Ibrahimi), 41 vjeç dhe Alket Elmas Halitaj, 42 vjeç.
Këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, sipas drejtorit të Policisë së Tiranës, janë autorët e vrasjes së shtetasit Aurel Zenka, ngjarje e ndodhur të premten në rrugën “Ali Demi”.
Vendndodhja e tyre është zbuluar nga gjurmimi i telefonit të autorit kryesor të kësaj ngjarjeje, 36-vjeçarit Agron Goxhaj, i cili po ashtu ka mbetur i plagosur në të njëjtën ngjarje.
Një telefonatë që ai ka bërë me familjarët e tij në Tiranë, e ka çuar Policinë drejt vendstrehimit të tij dhe 3 personave të tjerë, në një banesë në zonën e njohur si “Kali i Trojës” në Durrës.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





