Durrës, 28 maj 2014 – Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë nga ekzekutimi i 55 vjeçarit Arben Tollia, Policia e Durrësit dhe Prokuroria janë duke punuar për të arritur të identifikojnë vrasësit e tij. Megjithëse në ekzekutimin e Arben Tollisë ishte i pranishëm edhe djali i tij, ky i fundit nuk ka arritur t’i identifikojë vrasësit për shkak të errësirës.

Për këtë arsye, dëshmia e dhënë prej tij para grupit hetues nuk ka mundur të hedhë dritë mbi ekzekutorët e atij që e cilësonte veten një Kazanovë apo Don Zhuan për shkak të lidhjeve të shumta me femra të ndryshme.

Sipas policisë, autorët e krimit dyshohet të kenë qenë profesionistë për vetë mënyrën se si u krye vrasja. Megjithëse u qëllua me breshëri kallashnikovi, plumbat goditën vetëm Tollinë dhe jo djalin dhe një bashkëfshatar të tij që ndodhej aty pranë.

Vrasja e “Kazanovës” Arben Tollia rihap dosjet e vjetra të denoncimeve për abuzime seksuale dhe mashtrime. Nga ana e forcave të policisë është kërkuar  bashkëpunimi i prokurorisë për rikthimin nga e para të denoncimeve në emër të Tollisë, duke qenë momentalisht pista kryesore e hetimit.

Sipas deklaratës së viktimës, ai ka pasur raporte seksual me 380 femra të ndryshme, të cilat kanë rënë pre e mashtrimeve të tij. Por vetë Tollia pati deklaruar kohë më parë se kishte pasur kontakte intime edhe me gra politikanësh dhe prokurorësh, por pa zbardhur emra.

Është shumë i lartë numri i personave të dyshuar për këtë ngjarje, viktima të abuzimeve seksuale të viktimës. Por, për policinë përbën interes informacioni nëse Tollia ka pasur kërcënime konkrete apo konflikte, për këtë arsye është kërkuar zbardhja e tabulateve të bisedave telefonike të këtij muaji.

Sipas bluve dyshimet për këtë krim përqendrohen tek denoncuesit e Tollisë, të cilat kanë rënë në gracën e përdhunuesit. Vetëm gjatë ditës së djeshme ka pasur mbi 15 persona të shoqëruar, të cilët kanë qenë dëshmitarë dhe të afërm të viktimës. Dëshmitarë okularë kanë rrëfyer se kanë parë dy djem me skafandër në kokë dhe me veshje të errët, të cilët kanë hapur zjarr me breshëri ndaj “Kazanovës”.  Në zonën ku ka ndodhur krimi nuk ka pasur biznese me kamera sigurie, gjë që do të kishte ndihmuar punën e forcave të rendit për identifikimin e ekzekutorëve.

Tollia u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me 12 vite burg për të paktën pesë raste përdhunimesh, ndërkohë që është deklaruar se ai ka abuzuar me shumë gra dhe vajza të tjera në Durrës, Elbasan dhe Lushnjë.

Në qershor të vitit 2005, Policia dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda sekuestruan një mori fotosh nudo të femrave me të cilat Tollia kishte kryer marrëdhënie dhe i kishte fotografuar në momente intime dhe krejtësisht të zhveshura. Ai ua dërgonte një foto viktimave të tij duke i mbajtur nën presion të vazhdueshëm që t’i bindeshin atij, pasi në të kundërtën fotot do t’u dërgoheshin familjarëve të tyre.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/