Autoritetet britanike po e mbanin nën vëzhgim Xhevahir Brashën, 42-vjeçarin që u vra me tetë plumba pranë banesës së tij, në Fllakë të Durrësit, mbrëmjen e 10 shkurtit. Mësohet se kjo ishte edhe arsyeja e kthimit në Shqipëri e emigrantit, me qëllim për të humbur gjurmët dhe shkëpuste kësisoj vëmendjen e autoriteteve angleze. Grupi hetimor sqaron se Brasha, me origjinë nga Hasi dhe me banim në Fllakë të Durrësit, emigrant prej 20 vitesh në Angli, njihej si person problematik për autoritetet britanike.

Brasha ishte përfshirë në disa konflikte me bashkëfshatarët e tij që jetonin në të njëjtin shtet, ndërsa së fundmi ai u bë objekt hetimi, pasi dyshohej të ishte pjesë e një organizate kriminale që operonte nga Shqipëria në drejtim të Anglisë. Sipas të njëjtave burime, dyshohet që 42-vjeçari ishte i implikuar në trafikun e qenieve njerëzore dhe në atë të lëndëve narkotike. Për të hedhur dritë mbi konfliktet e mundshme që 42-vjeçari kishte me të tjerë persona apo edhe mbi aktivitetin e tij të paligjshëm në atë shtet, Prokuroria ka kërkuar nëpërmjet një shkrese zyrtare autoriteteve policore britanike informacion të plotë rreth të shkuarës së Xhevahir Brashës, përgjatë kohës që ai ka qëndruar në Angli.

Marrë me shkurtime nga Panorama & Albeu