Policia e Durrësit zbardh dhe dokumenton ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme në lagjen nr.16, ku u gjet pa jetë në banesë e moshuara Floresha Shkurti.

Arrestohet nipi 21-vjeçar si autori i dyshuar i ngjarjes.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, pas një pune të mirëfilltë hetimore kanë bërë të mundur zbardhjen e plotë të ngjarjes së ndodhur dhe kanë arrestuar në flagrancë, nipin e shtetases së mësipërme si autor të dyshuar të krimit, shtetasi Redmon Gruda, 21 vjeç, banues në Durrës.

Sipas policisë, Gruda, dyshohet se mesditën e datës 27.09.2018, por motive të dobëta ka goditur disa herë me thikë në kokë gjyshen e tij, e cila si pasojë e plagëve të marra ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Burime nga organi i akuzës konfirmuan mbrëmë për “DurrësLajm” se gjatë marrjes në pyetje të nipit të gruas së moshuar, ai ka pranuar se ka qenë autor i krimit të rëndë.

Gjatë marrjes në pyetje, prokurori Pal Decolli ka arritur t’i shkëpusë nipit të Floreshës pohimin se ka qenë pikërisht ai që ka shkaktuar vdekjen e gjyshes së tij duke e goditur në kokë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale" Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare", parashikuar nga neni 79/c të Kodit Penal.