Detaje të reja janë bërë me dije nga vrasja e zbuluar pak minuta më parë në qytetin e Durrësit. Policia njofton se shtetasi E.Curri ka vrarë me armë gjyshen e tij, dhe më pas ka qëlluar veten.

Mësohet se 25- vjeçari kishte kyçur derën e shtëpisë dhe është dashur që ta shpërthejnë atë për t’u futur brenda.

Kanë qenë familjarët që kanë telefonuar policinë pas dyshimeve, pasi e moshuara nuk përgjigjej në telefon.

Njoftimi i policisë:

Informacion paraprak.
 
Më datë 04.04.2017, ora 12: 15, në lagjen Nr.10, Durrës, në banesë janë gjetur pa shenja jete shtetasit E.C. 25 vjeç dhe gjyshja e tij, H.C 80 vjeçe. 
 
Me të marrë njoftim menjëherë në vendngjarje kanë shkuar Efektivet e Policisë.
 
Banesa ka qenë e mbyllur me çelës nga brenda.
 
Nga hetimet paraprake dyshohet se nipi ka vrarë gjyshen e tij dhe më pas veten.
 
Në vendngjarje është gjetur një armë zjarri, automatik.
 
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.