DURRES, 10 mars 2013 – Një ngjarje e rëndë ka tronditur lagjen nr.15 të Durrësit mbrëmjen e së dielës. Rreth orës 20.45 një breshëri automatiku ka prishur qetësinë e zonës së Spitallës. Sipas policisë së Durrësit një shtetas 38 vjeç, banues në lagjen nr.15, është qëlluar me armë zjarri ndërsa po kthehej në shtëpi.
Burime policore bëjnë të ditur se 38 vjeçari Nik Zef Ndoi është qëlluar në automjetin e tij tip BMW me ngjyrë jeshile, me targa angleze X234XPJ nga persona ende të paidentifikuar. Duket se personat që kanë qëlluar mbi Prengën i kishin zënë pritë këtij të fundit rreth 200 metra larg shtëpisë së tij dhe kan pritur momentin, kur ai po kthehej në banesë.
Errësira dhe ora e vona në zonën afër varrezave të reja duket se kanë favorizuar autorët e krimit që janë larguar nga vendngjarja, menjëherë pasi kanë derdhur breshëri kallashnikovi ndaj viktimës së tyre.
Policia ka mbërritur në vendngjarje menjëherë pas marrjes së njoftimit dhe grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motiveve të krimit.
Burime nga ky i fundit bëjnë të ditur se po hetohet edhe mbi të kaluarën e viktimës, Nik Zef Ndoi, pasi ai njihet nga forcat e rendit si person me precedentë penalë dhe vrasja e sotme mund të jetë një larje hesapesh.
Nik Ndoi, mik i Agim Pepës
Në vitin 2003, Nik Ndoi u vu nën pranga nën akuzën e “veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, pasi u akuzua se kishte ndihmuar për largimin nga vendi i krimit Agim Pepën, të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit të policisë, Gani Malushit dhe shoferit të tij, Gjovalin Ndreu. Më 14 gusht 2003 gjykata vendos masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj të pandehurit Prenga dhe pas një maratone gjyqësore gati 1-vjeçare, me vendimin e saj nr.15, datë 25.06.2004, Gjykata e Krimeve të Rënda e cilëson fajtor dhe e dënon me 2 vjet e gjashtë muaj burgim
/m.l. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





