DURRËS, 2 dhjetor 2014 – Zbulohet dhe shpallet në kërkim njëri nga autorët e ngjarjes së bujshme, që ndodhi mbrëmjen e datës 18 nëntor 2014, në “Bar Center”, afër ndërtesës së bashkisë. Këtu u ekzekutua me armë zjarri 49-vjeçari Leonard Murataj, lindur dhe banues në Durrës, lagja nr. 2, i martuar, me dy fëmijë, i dënuar më parë për disa vepra të rënda kriminale.
Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë njofton se, pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, si dhe pas operacioneve të shërbimeve mbi zbulimin dhe gjetjen e autorëve, gjithashtu në bashkëpunim me prokurorinë e Durrësit, u identifikua një nga bashkëpunëtorët në vrasjen e 49-vjeçarit durrsak Leonard Murataj. Ai quhet Bedri Haka, 20 vjeç, banues në fshatin Zezë të komunës së Niklës Krujë.
Më 23 nëntor 2014 organi i akuzës bregdetare ka dërguar në forcat ligjzbatuese për ekzekutim vendimin e 23 nëntorit 2014 të togave të zeza të Durrësit, ku për Hakën është dhënë masa e sigurimit e arrestit në burg në mungesë. Blutë kanë shpallur në kërkim 20-vjeçarin dhe po punohet intensivisht për kapjen e tij, si dhe për identifikimin e autorëve të tjerë, bashkëpunëtorë në kryerjen e veprës penale.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





