Më datën 21 nëntor 2018, në ambientet e Royal G Hotel Durrës, u zhvillua një workshop për kuadrin ligjor dhe kapacitetet e reagimit ndaj ndotjeve vajore në det, në kuadrin e projektit të përbashkët të UNDP, Qeverisë kroate dhe shqiptare për menaxhimin e ndotjeve detare dhe rritjen e sigurisë në det.
Workshopi u organizua nga UNDP në vendin tonë, në bashkëpunim me Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës dhe Ministrinë e Mjedisit e Turizmit.
Në të morën pjesë Drejtues dhe përfaqësues të Instutucioneve detare e subjekteve private me interesa në det, konkretisht, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Administratës Detare, Kapitanerisë së Porteve, Autoritetit Portual Durrës, Vlorë e Shëngjin, Ministrisë së Mjedisit, Ministrisë së Financës, Ministrisë së Migracionit dhe Kufirit, QNOD, Komandës së Forcës Detare, kompani hidrokarburesh e pastrimi detar, etj.
Zonja Violeta Zuna, Projekt menaxhere, përfaqësuese e UNDP, prezantoi kuadrin e projektit dhe hapat e ndërmarë deri tani për zbatimin e tij në vendin tonë.
Në vijim të workshop-it, zonja Raimonda Gjata dhe zoti Shkëlqim Xhaxhiu, përfaqësues nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës, konsulentë të projektit, shpjeguan pjesë të kuadrit ligjor për përgatitjen dhe reagimin ndaj ndotjeve detare, plani kombëtar i kontigjencës, situata aktuale, rekomandimet për të ardhmen dhe përditësimet e nevojëshme.
Ndërsa zoti Osman Metalla, Dekan në UAMD, konsulet i projektit, foli për kapacitetet kombëtare të reagimit ndaj aksidenteve dhe emergjencave detare.
Mbas këtyre prezantimeve sa konkrete aq shkencore për rëndësinë e projektit, pjesëmarrësit diskutuan rreth përvojës së deritanishme në përballimin e rasteve të këtij lloji, cilat janë kapacitetet operacionale dhe nevojat e institucionit që përfaqson për të vepruar kundër ndotjeve detare, ku do synojë përmirësimi i legjislacionit, cilat janë kompetencat e institucioneve për këtë fushë, në c’nivel është bashkëpunimi ndërinstitucional, cilat struktura kanë përgjegjsinë konkrete, ku duhet investuar dhe sektorët parësorë që duhen ndihmuar, eksperienca e vendeve fqinje, pritshmëritë e projektit, detyrat e rekomandimet për të ardhmen, etj.
Workshopi i sotëm ishte një ndër masat e planëzuara që po realizojnë specialistët e projektit për menaxhimin e ndotjes detare në përputhje me ligjet dhe politikën detare të BE.





