Durrës, 12 maj 2014 – Një 17 vjeçare që ishte shpallur në kërkim nga policia, pasi figuronte e larguar nga shtëpia që në datë 6 maj, është ndaluar në portin e Durrësit, ndërsa po largohej drejt Italisë bashkë me nënën e saj.

Mësohet se vajza adoleshente, banuese në Lezhë, jetonte me xhaxhain e saj, i cili e kishte nën kujdestari. Disa ditë më parë 17 vjeçarja D.Gj. është larguar nga shtëpia dhe ka humbur çdo kontakt me vëllain e babait të saj.

Ky i fundit, duke mos arritur të lidhej me mbesën ka denoncuar zhdukjen e saj në polici.

Duket se vajza është vënë në kontakt me nënën e saj dhe ka vendosur të jetojë me të në shtetit fqinjë Itali.

Por duke qenë e shpallur në kërkim, Policia Kufitare e Portit të Durrësit e ka ndaluar adoleshenten të largohet nga Shqipëria.

Tashmë janë efektivët e policisë së komisariatit të Lezhës që po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme proceduriale për të zgjidhur këtë çështje.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/