Durrës, 24 qershor 2014 – Dy raste të reja të dhunës në familje janë regjistruar mesditën e së hënës në Durrës. Në dy episode të ndryshme, të regjistruara në lagjen nr.4 dhe 13 të qytetit bregdetar, dy meshkuj kanë dhunuar fizikisht gruan dhe mbesën për motive të dobëta.

Ngjarjet në fjalë bëhen edhe më flagrante pasi ato janë kryer në ambiente të hapura, në praninë e dëshmitarëve të rastit. Rasti i parë i dhunës fizike është regjistruar në zonën e plazhit, afër Urës së Dajlanit. Mesditën e së hënës, një 35 vjeçar nga Durrësi, V.U. ka goditur me grushta mbesën e tij të mitur. 14 vjeçarja ka shenja grushtash të shkaktuara nga xhaxhai i saj, i cili është denoncuar në polici për dhunën e ushtruar ndaj adoleshentes.

Vetëm gjysëm ore më vonë, rreth orës 12.30, në lagjen nr.4 të Durrësit një kavajas 24 vjeçar E.R., për motive banale ka rrahur gruan e tij 25 vjeçare A.H. E lënduara i është drejtuar menjëherë policisë për ndihmë. Pasi kanë nisur procedimin penal në gjendje të lirë për bashkëshortin 24 vjeçar, efektivët e rendit kanë plotësuar Kërkesë – Padinë për Lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes për 25 vjeçaren e dhunuar.    

Në të njëjtën kohë, policia ka plotësuar Kërkesë – Padinë për Lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes edhe për një 20 vjeçare të dhunuar nga ish burri i saj, B.O.,  23 vjeç, si dhe për një 65-vjeçar, nga Shijaku që është rrahur nga djali i tij, 29 vjeçari Q.K.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/