Durrës, 12 gusht 2014 – Vjedhjet e shtëpive dhe të personave të moshuar kanë shënuar një numër rekord gjatë së hënës, jo vetëm për shkak të numrit të veprave penale, por edhe shumës së grabitur.

Një 37 vjeçar nga Tirana, ka arritur paraditen e së hënës të vjedhë në harkun kohor të një gjysëm ore dy pensionistë durrsakë.

37 vjeçari Ago Metani, banues në Kombinat, Tiranë, i ka vjedhur një 72 vjeçari nga Durrësi portofolin me 2 mijë lekë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.6 të qytetit bregdetar.

Vetëm pak minuta më vonë, xhepisti është zhvendosur në lagjen nr. 4, dhe këtë herë ‘viktimë’ e tij ka mbetur një 70 vjeçar, të cilit i është vjedhur portofoli me një sasi lekësh dhe dokumenta italiane.

Pas dy denoncimeve në adresë të tij, xhepisti Metani është shpallur në kërkim.

Ndërkohë në Durrës dhe në zonën turistike hajdutët e shtëpive kanë realizuar disa goditje mjaft të ‘suksesshme’.

Një 37 vjeçare nga Durrës ka deklaruar në polici se i kanë vjedhur banesën, në të cilën i kanë marrë një sasi prej 5000  euro dhe disa bizhuteri.

Ndërkohë tre shtetasve nga Kosova që kishin marrë shtëpi me qira në zonën turistike të plazhit, hajdutët u kanë hyrë brenda në shtëpi duke marrë me vete respektivisht 3000 euro, dy varëse floriri e dy unaza; 1000 euro dhe 1 telefon Iphone5 si dhe 100 euro, dy varëse floriri e dy unaza.

Në asnjëri prej këtyre rasteve, policia nuk ka bërë ende të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Nga ana tjetër jo vetëm gratë bien ‘pre’ e grabitësve që u shkulin varësen nga qafa në mes të rrugës. Këtë herë e ka pësuar një 45 vjeçar nga Vora, të cilit në Koxhas, Shijak, një person i paidentifikuar i ka marrë nga qafa varësen e floririt dhe është larguar me shpejtësi.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/